Kjo javë do të sjellë vjeshtën në territorin e vendit tonë. Lajmin e ka bërë të ditur sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” në një lidhje direkte për Klan News. Porja ka thënë se deri në mesin e javës pritet që të kemi temperatura më të freskëta e me reshje shiu, ndërsa e enjtja dhe e premtja duke vijuar me fundjavën, do të sjellin përmirësim gradual të kushteve të motit.
“Kanë nisur edhe tiparet e vjeshtës. Tashmë reshjet kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit. Do të ketë ndërprerje për disa orë, por do të fillojnë sërish në pjesën e dytë të ditës. Ndërkohë, në veri do të fillojnë disi më herët. Në qendër dhe në zonat e jugut do të fillojnë në orët e vona të mbrëmjes duke bërë që sërish gjatë natës sonte, të kemi reshje. Nesër madje presim që të kemi rrebeshe në pjesën më të madhe të territorit. Herë pas here do të shoqërohen dhe me fuqizim të parametrit të erës.
Ndërkohë, dita e mërkurë do të ketë reshjet prezente, por do të jenë më të pakta dhe të përkohshme. Parashikohet një përmirësim i motit duke filluar nga mesi i javës, nga e enjtja, përfshirë këtu dhe fundjavën edhe jemi sërish nën ndikimin e kthjellimeve, vranësirave, por reshjet mbeten prezente vetëm përgjatë pjesës së parë të javës, nga dita e sotme, deri ditën e mërkurë.
Përsa i përket situatës termike, pas një fundjave të nxehtë, presim të kemi temperatura të ulëta, të paktën nga dita e sotme e deri në mesjavë, minimalet kanë zbritur në 7 gradë në zonat malore, kurse maksimalet nga temperatura shumë të larta, sot do të jenë jo më shumë se 26 gradë, ndërsa nesër do të kemi sërish rënie, duke bërë që dita e martë, të jetë jo vetëm e freskët, por edhe me reshje, maksimalet do të jenë jo më shumë se 25 gradë. E enjtja dhe e premtja do të sjellin rritje, duke bërë që e fundjava të regjistrojë temperatura 27 apo 28 gradë. Do të jetë një javë e afërt me tiparet e vjeshtës.”