Nga Reldar Dedaj-
Ne e shikojmë të gjithë se tani ka vetëm një krah politik që i përket të djathtës, sepse gjithë të tjerët janë të majtë. I majtë është Edi Rama me Erion Veliajn, ashtu është Sali Berisha me Belind Këlliçin. I vetmi kandidat që sot qëndron në shtratin e tij natyral është Roland Bejko. Fjalët e tij shprehin më bukur se askush tjetër filozofinë e djathtë, konservatorizmi është i tij, antikomunist ai është, s’janë këta. Ai është antikomunist para se të themelohej Partia Demokratike.
Ata që e themeluan atë parti, e bënë atë mbi honet e studentëve të “Dhjetorit”. Roland Bejko është një prej tyre. Është i vetmi kandidat që sot ka shprehur më shumë se askush tjetër “jo-berishizmin” si devizë kryesore të të djathtës shqiptare. Ai është i qartë, i sinqertë dhe i guximshëm. Me sa kuptojmë ne, Partia Demokratike është ndarë mes normalitetit dhe pjesës tjetër. Sepse, demokratët duhet ta dinë, se me elitën që kanë zgjedhur, edhe nëse do bashkoheshin nuk do mund të ishin shumicë. Normal, po.
Ata që s’bien dakord me të, kërkojnë të eliminojnë atë që i ndan. Roland Bejko është njeriu që mendon ndryshe nga turma e Saliut. Turma i druhet ndarjes, ngaqë arrin të prishë unitetin babelian të mendimit dhe, uniteti i të menduarit, sa është totalitarizëm i pastër aq është edhe prapambetje. Mirëpo, turma kërkon që të shmangë konfliktin, por për ta shmang atë, ata duhet të eliminojnë dasinë. Por pa konflikt nuk ka jetë, madje as qytetari. Vetë qyteti, sipas mitologjisë, është pjellë e vëllavrasjes. Është Kaini ai që ndërton polis-in e parë sipas gjenezës. Pikërisht pasi vrau Remin, Romuli vendosi të themelojë Urbs-in që do të ishte djepi i kodifikimit të së drejtës.
Personaliteti i Ronald Bejkos është sinteza më e vërtetë që mban gjallë një konflikt të tillë brenda partisë më të madhe opozitare. Është ky personalitet që frikëson më shumë se këdo tjetër të gjithë ata që kanë krijuar në këtë vend përshtypjen se duhet të bashkohen me atë që sundon, me atë që prek jo pak herë edhe interesat e tyre, me ata që grabisin një pjesë të madhe të të gjithë pasurisë dhe sigurisht, edhe me ata, që jo në pak raste, arrijnë të kërcënojnë me pushtetin e turmës.
Roland Bejko frikëson sepse ka edhe një diferencë me këta, është i vetmi kandidat i cili është i qartë, i pastër. Është i tejdukshëm, ku fare mirë mund të shikosh përmes tij. Të tjerët janë si blloqe muri. Është nga ata të rrallët zyrtarë të shtetit shqiptar që në kulmin e pushtetit të Partisë Demokratike, dha dorëheqjen nga Prefekti i Qarkut të Beratit për të vijuar studimet pasuniversitare në Francë. Nuk duhet harruar. Ishte koha kur pjesa më e madhe e atyre që e sulmojnë sot, ishin anëtarë të “sektit KÇK” (Kap çfarë të kapësh). Është një person që njeh më shumë se askush tjetër pushtetin lokal, njohës dhe administrator korrekt. Profesor universiteti. Një liberal i qendrës së djathtë që kandidon përballë tre kandidatëve të majtë. Të gjithë rivalët e tij kanë të njëjtat ide. Të gjithë, pa përjashtim të gjithë bëjnë premtime se, herët a vonë, shqiptarët do kenë edhe gjëra falas në këtë qytet. Ata janë produkte të të njëjtit laborator. Mjafton t’i kundrosh si vishen, si flasin, si qëndrojnë para kameras, çfarë thonë dhe çfarë bëjnë.
Roland Bejko frikëson edhe pse është një nga njerëzit që arriti të përplaset me dy bosët e partisë, Bashën dhe Berishën, e kjo ndodhi për shkak të bindjeve dhe besimit të tij tek disa norma dhe parime, nuk ka heshtur asnjëherë kur është dashur të flasë dhe as ka parë se nga do shkojë forca kur është dashur të reagojë. Ai nuk është pjesë e atyre hemafrodidëve të oborrit që të frikësuar nga turma shkuan kurriz-përthyer tek Berisha dhe, jo falë besimit apo vokacionit të tyre të brendshëm. Dhe, këtu, nëse do i merrnim në konsideratë një e nga një rivalët e tij, do ta kishim fare të lehtë të thoshim se si Belind Këlliçi ashtu edhe Erion Veliaj janë thjeshtë ca zgjatime të rëndomta të shefave të tyre, aq të ngjashëm me njëri-tjetrin, saqë edhe mendja më e kthjellët në këtë botë, do ta kishte të vështirë ta shquante se ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri. Janë ca kinkalerina kineze që më shumë shërbejnë për të hutuar shqiptarët, sesa për t’iu zgjidhur punë.
Dhe në fund, Roland Bejko frikëson edhe se atë mund ta ofendojnë për qëndrimet e tij në politikë, por askush, qoftë ai bir nënë apo bir kurve, nuk e kap dot me dorë për xhakete. Me atë mund të mos bihet dakord për shumë gjëra, por s’mund të mos bihet dakord se idetë e tij për pushtetin lokal janë më të mirat që sot mund të ofronte Partia Demokratike. Roland Bejko është një figurë politike me përvojë, që ka lënë shenjë në administrim dhe që ka arritur ta ndërtojë vetë personalitetin dhe figurën e tij, në një kohë dhe periudhë që, për të qenë vetvetja, do duhej të paguaje kosto të mëdha. Kaq do mjaftonte, ndoshta asgjë më shumë… /Liberale.al/