Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” po vijohet me ditën e dytë të rinumërimit të votave për qarkun e Fierit. Deri më tani janë hapur 246 kuti nga 587 kuti, ose rreth 42% (ora 10:15). Hapja e kutive edhe në këtë qark, nuk pritet të sjellë asnjë ndryshim. Njëjtë si në qarkun e Tiranës, hapja e kutive po tregon vetëm gabime të vogla, ndërsa PD edhe në këtë qark kryeson me numrin e votave të pamerituara.
Partisë Demokratike i zbriten 74 vota të pamerituara, ndërsa Partisë Socialiste i shtohen 28 vota nga rinumërimi. Shifra këto që i zbehin shpresën Lapajt për t’i marrë PS një mandat në Fier. Nisma Shqipëria Bëhet shpreson që të marrë 519 votat e nevojshme dhe të fusë në Kuvend kandidatin Azmer Duleviç. Por, zhvillimet deri tani nuk i kanë shkuar në favor. Pasi, jo vetëm që PS është fuqizuar, por nga ana tjetër Lapajt i janë zbritur 4 vota.
Humbje të vogla kanë pësuar edhe parti të vogla si Lëvizja Bashkë 4 vota, 2 Koalicioni Djathtas për Zhvillim. Përveç PS-së, që i shtohen disa vota, edhe partisë Mundësia i shtohen 3 vota, që i janë hequr nga numërimi fillestar.
Mandati i Zegjine Çaushit ishte në pikëpyetje për shkak të diferencës së ngushtë me kandidaten Maldrita Bardhos. Por rinumërimi i deritanishëm ka thelluar diferencën në favor të Çaushit, pasi Bardho ka humbur 39 vota, ndërkohë që Çaushit i janë shtuar 4 vota.