Ka nisur procesi i rinumërimit të 1282 kutive të qarkut të Tiranës, vendim i marrë me iniciativë nga dy anëtarët e PD-së në KAS.

Nga rinumërimi i 13 kutive të para, deri në orën 12:30 të ditës së sotme rezulton se Partisë Demokratike nuk i janë llogaritur 4 vota gjatë procesit të numërimit më 11 maj dhe pas këtij rinumërimi i janë shtuar në tabelën e rezultateve. Nga 2254 vota që kishin këto 13 kuti në numërimin e parë, tani PD-së i njihen 2258, ose 4 më shumë.

Ajo që ka dalë më e fituar deri tani duket se është PS, teksa në 13 kutitë e para rezulton se ka përfituar 17 vota më shumë, të cilat pas rinumërimit që po bën KQZ te pallati “Farie Hoti” në kryeqytet, i janë zbritur nga tabela e parë.

Edhe Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës rezulton se i janë hequr 3 vota padrejtësisht në numërimin e parë, të cilat iu shtuan në rinumërim pas 13 kutive të para.

Edhe Mundësisë së Agron Shehajt dhe Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit, gjithashtu i janë shtuar nga një votë secilës nga ky rinumërim.

Në momentet e para, kur procesi kishte 7 kuti të rinumëruara, ra në sy fakti se të gjitha këto parti më sipër, përfshi edhe PS-në, ishin ‘vjedhur’ nga komisionerët, që praktikisht dukej si një gabim njerëzor. Ajo që vihet re në këtë rinumërim është fakti se ka qartë gabime komisionerësh në të gjitha krahët.