Vijojnë përplasjet e ashpra mes Presidentit Amerikan Donald Trump dhe ish aleatit të tij, njëkohësisht njeriut më të pasur të botës Elon Musk. Kreu I Shtëpisë së bardhë sulmoi ashpër miliarderin, duke shkruar në Truth Social se bizneset e Elon Musk egzistojnë dhe kanë mbijetuar  vetëm falë subvencioneve nga Shteti Amerikan.

“Elon Musk e dinte shumë mirë, shumë kohë përpara se të më mbështeste fuqishëm për President, që unë kam qenë gjithmonë kundër rregulloreve detyruese për makinat elektrike. Është një politikë qesharake dhe gjithmonë ka qenë një pjesë e rëndësishme e e fushatës sime. Makinat elektrike janë në rregull, por askush nuk duhet të detyrohet të blejë një të tillë,” shkroi Presidenti Trump.

Ai shtoi se Musk ka përfituar më shumë ndihma financiare se çdo njeri tjetër në historinë moderne. “Pa subvencione, Elon ndoshta do të mbyllte gjithçka dhe do të kthehej në shtëpi, në Afrikën e Jugut. Asnjë lëshim raketash, asnjë satelit, asnjë prodhim makinash elektrike – dhe vendi ynë do të kursente një PASURI të madhë,” deklaroi Trump.

Presidenti amerikan gjithashtu propozoi që Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE), një agjenci që  Musk e ka udhëhequr në të kaluarën, të hetojë nivelin e subvencioneve që marrin kompanitë e Musk. “Ndoshta duhet të lejojmë DOGE të hedhë një vështrim të thellë mbi këtë çështje? PARA TË MËDHA PËR T’U KURSYER!!!” shtoi ai.

Deklaratat vijnë pas kritikave të fundit nga Musk ndaj një projektligji të mbështetur nga presidenti Trump, të cilin ai e quajti “vetëvrasje politike për Partinë Republikane.” Musk ka paralajmëruar se nëse projektligji miratohet në Senat, ai do të formojë një parti të re politike me emrin America Party.

“Po kaloi ky projektligj i çmendur, Partia Amerikane do të formohet ditën tjetër. Vendi ynë ka nevojë për një alternativë ndaj unipartisë Demokrate-Republikane, që njerëzit të kenë zë të vërtetë,” shkroi Musk.

Përplasja mes dy figurave të njohura thellon ndarjet brenda kampit konservator amerikan, në një kohë kur presidenti Trump sapo e ka nisur mandatin e tij 4 vjecar.