Nga Marvine Howe*

Për shumë vjet dëshiroja që të vizitoja Shqipërinë, tokën e shqiponjës, e njohur për prejardhjen e saj nga Iliria e lashtë dhe që ka konsumuar historinë e saj, duke luftuar kundër pushtuesve të huaj. Por Shqipëria (emër i thënë nga gazetarja, – shën. red.), e njohur si Albania, ka qenë vendi më i kontrolluar dhe më i izoluar në Europë. E drejtuar nga lideri stalinist, Enver Hoxha, për 40 vjet, Shqipëria i ktheu krahët SHBA-ve, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, duke preferuar që të ecë e vetme.

Gjer në kohët e fundit, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, ishte pothuajse e mbyllur për amerikanët, përveç ndonjë përjashtimi të përzgjedhur me kujdes, të shqiptaro-amerikanëve. Por tani, presidenti Ramiz Alia, i cili mori drejtimin që pas vdekjes së zotit Hoxha, në vitin 1985, ka filluar që të hapë portat në mënyrë të limituar, për turistët e huaj. Përafërsisht, 100 mijë shtetas të huaj, vizituan Shqipërinë këtë vit, ku vetëm një grusht prej tyre, janë amerikanë.

Në fund të tetorit, unë iu bashkova një grupi grek të organizuar në Athinë, për një tur gjashtë -ditor në Shqipëri. Përshtypjet tona në përgjithësi, për shtetin komunist të Ballkanit, që shtrihej përgjatë Adriatikut, ishin të ndryshme. Kishte një sharmë të paepur dhe të thyer vendi malor, i cili ishte më i vogël sesa Marylandi dhe që kishte një popullsi vetëm 3 milionë banorë. Shqipëria, e cila shtrihet mes Jugosllavisë në Veri dhe Greqisë në Jug, botërisht është njohur në vitin 1950.

Shoqëria e izoluar shqiptare, dukej se kishte shpëtuar nga sëmundjet moderne, si: përdorimi i drogës, alkoolit, krimit të dhunshëm, SIDA-s dhe mbipopullimit të makinave. Ajo ishte praktikisht një parajsë mjedisore, me një ajër përgjithësisht të pa ndotur, parqe, plazhe dhe natyrë të pastër, si dhe ushqime të freskëta. Shteti garantonte strehimin për qytetarët, shërbimin shëndetësor falas, shkollimin dhe mundësitë kulturore.

Por, këto avantazhe kishin një kosto (haraç): heqjen totale të lirisë së fjalës dhe lëvizjes; nxjerrjen jashtë ligjit të të gjitha besimeve fetare dhe ndalimin e ushtrimit të tyre; zhdukjen e pronës private, përfshirë edhe përdorimin e makinave personale. Sigurimi (i thënë nga autorja me këtë emër, – shën. red.) ose policia sekrete, ishte kudo dhe cilido që bënte vetëm një shenjë, mund të ndëshkohej deri në 3 vjet burg.

Gjatë gjithë kohës dhe kontakteve tona, ishim të kontrolluar dhe sa më shumë shkonim tutje, çuditeshim sesi Shqipëria dukej e arratisur nga vorbulla e ndryshimeve, që ishte përfshirë pjesa më e madhe e vendeve të Europës Juglindore. Unë, mësova rreth turit, nga përfaqësuesi grek i “Albturist”, Agjencia Shtetërore Turistike zyrtare.

Ishim një grup me 22 persona, ku shumica ishin grekë, dy greko-australianë, një greko-amerikan. Disa anëtarë të grupit kishin qenë në Shqipëri edhe më parë, dhe po shkonin për të takuar të afërmit e tyre, pasi rreth 200 mijë grekë etnikë, jetonin në Jugun e Shqipërisë (e dhënë kjo që gazetari mund ta ketë marrë nga bashkudhëtarët, shtetas grekë, – shën. red.), por shumica prej nesh ishim kureshtarë, për të mësuar rreth jetës së shtetit të fundit stalinist në Europë.

Ishte një verë xixëlluese indiane në Greqi, e cila ka të mirat e saj. Udhëtimi ynë, 320 kilometra nga veriu drejt kufirit shqiptar, u ndoq nga ishulli i mrekullueshëm i Korfuzit. Pastaj kaluam përmes zonës kodrinore me liqene në Janinë, drejt kufirit grek dhe më fund në Kakavijë. Pa kaluar ende asnjë person në anën tjetër të kufirit, shoferi ynë gazmor i autobusit, Kostas Mantalas, që kishte marrë më shumë se 40 ekskursionistë, për t’i çuar drejt Shqipërisë, na shpjegoi shkurtimisht, se çfarë duhej të bënim: Ne duhej të deklaronim monedhat e huaja dhe çdo gjë me vlerë, si; orët, stolitë e çmuara dhe kamerat.

Kostas paralajmëroi se gjëja kryesore, ishte që të mos kishim materiale pornografike apo edhe religjioze. Po ashtu, të mos fotografohej në kufi, sepse ishte zonë ushtarake. Në të vërtetë, kufiri dukej si një kamp ushtarak, me një gardh me tela me gjemba dhe bunkerë të vegjël, të gjithë mbi kodra. Zyrtarët shqiptarë, njerëzisht, na ftuan që të nxirrnin jashtë bagazhet për inspektim, duke nënvizuar se të gjitha dhuratat për shqiptarët, duhet të deklaroheshin dhe të paguanim taksat doganore.

Ne takuam në kufi dy shoqëruesit shqiptarë të turit, që e prezantuan veten e tyre, si Spiro dhe Eleftheria; ata flisnin greqisht, por jo anglisht, por bashkudhëtarët e mi grekë do të shërbenin si përkthyes. Ndërsa ne përshkonim rrugën në cep të jugut të Shqipërisë, rruga kalonte përmes maleve të zymta. Nuk kishte trafik, përveç ndonjë kalimtari të rastësishëm; disa transportonin mallra me gomar ose, me karroca që tërhiqeshin nga qetë.

“Përgjithësisht, kjo hapësirë ishte e shkretuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por tani të gjitha krahinat kanë ujë dhe elektricitet”, – tha Spiro, duke treguar hidrocentralin “Josif Stalin”. Destinacioni ynë i parë ishte Saranda, e njohur si perla e Rivierës Shqiptare. Nga larg qyteti ngjante si një amfiteatër, përreth gjirit me palma. Ndryshimi kryesor ishte se këtu, nuk kishte makina private. Ne takuam një grup turistësh francezë, që kishin qenë duke notuar dhe shijuar ujin e pastër e temperaturën e butë.

U vendosëm në hotel “Butrinti”, që ishte më i miri i qytetit. Dhoma ime ishte e pastër. Kishte ujë të bollshëm dhe të ngrohtë, por nuk kishte perde; mekanizmat e banjës nuk punonin gjithmonë, ndërsa letra e tualetit, ishte vrazhdë; krevati ishte i përkulshëm, si dhe nuk kishte radio apo televizor. Por unë kisha një ballkon në dhomën time, me pamje nga ishulli, me një perde te dera e jashtme e tij.

Kur dola për një shëtitje përgjatë bregut, pashë vetëm një grup burrash dhe djemsh, që po bënin ritualin e tyre të përnatshëm, në shëtitoren që kishte një kafe qendrore. Dritat ishin të zbehta dhe mungesa e makinave në qytet, të krijonte një ndjesi të frikshme.

“Ne presim turistë grekë, italianë, francezë, gjermanë, por jo rusë dhe amerikanë”, – tha një shitëse në librarinë kryesore, e cila shihte me kureshtje dhe mosbesim, turistin amerikan. Këtu nuk ka asnjë revistë apo gazetë në gjuhë të huaj, por vetëm kujtimet e Enver Hoxhës, në gjuhën angleze dhe frënge. Në hollin e hotelit, disa shqiptarë ishin duke biseduar me të afërmit-vizitorë që vinin nga jashtë, por ata nuk lejoheshin që të qëndronin brenda hotelit turistik ose, që të hanin drekë apo darkë, me turistët në mjediset e tij.

Dreka, si edhe të gjitha vaktet, ishin çështje grupi, pasi kontrolloheshin nga dy shoqëruesit shqiptarë. Nuk kishte meny alternative, por ushqimi kishte shije dhe ishte kuzhinë e njëjtë ose e ngjashme me atë greke. Që në natën e parë ne kishim supë pule, mish dhe perime, si dhe krem (puding) për ëmbëlsirë. Pijet ishin veçmas, por nuk ishin të shtrenjta. Në lokal ishte afishuar një shishe “Merlot” i kuq dhe një shishe me ujë mineral “Glina”, që kushtonin 15 lekë, rreth 2 dollarë.

Për argëtimin në mbrëmje kishte një klub nate, ku ndodhej një orkestër energjike, që argëtonte grupet e turistëve me muzikë tradicionale shqiptare dhe greke. Ditën tjetër, pas një mëngjesi me omëletë, bukë, mjaltë të freskët dhe një kafe shumë të hollë, ne bëmë një udhëtim të shkurtër në Sarandë. Dyqanet ushqimore dukeshin të mbushura me mallra që kultivoheshin në këtë zonë, si: lakra, presh, piper, domate, portokaj, mandarina dhe mollë, por nuk kishte prodhime të importuara.

Në pazarin e përditshëm qumështi ishte me pakicë, prej të cilit prodhohej një djathë i bardhë. Nuk kishte kasap, por mësova nga vendasit, se mishi ishte me racion, përgjithësisht, rreth 2 pounds për familje, çdo dy javë. Sipas banorëve vendas, bagëtitë ishin e vetmja gjë që kishin dhe se ishte mundësi për eksportin e tyre.

Duke u larguar nga Saranda, udhëtojmë në brendësi të rrugës, përgjatë vargmalit perëndimor, – “e vetmja moçalishte e hapur përpara 1944-s”, – thotë Spiro. Tani lugina e lumit Drino, prodhonte më shumë grurë, oriz, bathë dhe kullotnin dhentë. Pashë makineri të vogla bujqësore dhe vetëm një grua që punonte në arë, e cila po prashiste me shat. Mbi luginë, si mbretëri përrallore, shtrihej Gjirokastra, e cila të jepte përshtypjen e një kështjelle të argjendtë.

Qyteti i gurtë

Vendlindja e Enver Hoxhës dhe e shkrimtarit më të mirë bashkëkohor, Ismail Kadare, Gjirokastra, ishte shpallur një monument kulture. Shtëpia e z. Hoxha tani është Muzeu i Luftës për Çlirimin Kombëtar. Nga fortesa majë malit, qyteti mesjetar, me rrugët e kalldrëmta e të ngushta dhe shtëpitë e gurta me tjegullat e rrasëta, ngjante si argjend. Kalaja është tani Muzeu Kombëtar i Armatimeve, ku kishte të ekspozuar argjend të hershëm, pushkë të florinjta dhe kama, armë të ri gjetura nga gjermanët dhe italianët në Luftën e Dytë Botërore dhe një avion spiun të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kishte rënë në vitin 1950. Kur ra muzgu, qarkullimi në qytet bëhej tmerrësisht i rrezikshëm. Kishte vetëm pak karroca dhe biçikleta, të gjitha këto pa llamba ndriçimi, por kishte shumë këmbësorë, dele, mace, gomerë dhe pula. Madje, Kosta dukej paksa i demoralizuar, aq sa ai mezi dukej mes flatrave të gjelave të detit.

Udhëtimi drejt kryeqytetit

Në fund të një dite shumë të gjatë, ne arritën në Tiranë, kryeqyteti me 250 mijë banorë dhe me drita shkëlqyese përgjatë shëtitoreve. Në orën kur ne kishim mbërritur, vetëm një aks rrugor ishte i mbushur me këmbësorë, ndërsa të tjerët me autobusë me kamionçina. Ne qëndruam tek Hotel Tirana, e vetmja ndërtesë e lartë e qytetit, nga ku dukej i gjerë sheshi “Skënderbej”, ku ishte ngritur në qendër të tij statuja vigane e z. Hoxha.

Hoteli, i cili kishte në njërin krah Muzeun Historik Kombëtar dhe në tjetrin Pallatin e Kulturës, ishte i mbipopulluar me vizitorë të huaj, kryesisht gjermanë. Unë takova dy femra shqiptaro-amerikane, njëra nga Massachusetts dhe tjetra nga Florida, që kishin ardhur për të vizituar të afërmit e tyre. Ato kishin aplikuar për vizë një vit më parë, përmes Misionit të Shqipërisë në Itali dhe thanë se ishin të gëzuara me turin e tyre dyjavor.

Në mëngjes dola që të shoh qytetin. Kishte ndërtesa me apartamente moderne, por monotone, konkretisht, blloqe banimi pa sharm, të shfrytëzuara në mënyrë të varfër. Njerëzit që dukeshin përgjithësisht të relaksuar, kishin veshje pulovrash me ngjyra të shndritshme dhe pantallona e bluza demode. Në takimet me të huajt, ata ishin paksa të ndrojtur, por miqësorë.

Hapësira monumentale përreth hotelit ishte impresionuese. Xhamia e bukur e shekullit XIX e Et’hem Beut, tani është muze. Ora e qytetit e vitit 1830; statuja kalorësiake e Skënderbeut, heroi kombëtar i shekullit XV-të; statujat e Stalinit, Leninit, Hoxhës dhe muzeu i tij.

Ne vizituan Muzeun Historik Kombëtar, një godinë e këndshme, moderne me eksponate që shfaqnin që nga jeta e ilirëve të hershëm e deri tek arkivat e udhëheqjes komuniste të proletariatit. Por ne nuk mundëm të vizitonim edhe 170 muzeume të tjera të qytetit.

Drejt zonës bregdetare

Më vonë, ne udhëtuam përreth 25 milje drejt Durrësit, në portin kryesor të vendit dhe pasuritë bregdetare. Durrësi është qyteti i hershëm i Epidamnos, i themeluar që të vitin 627 para erës së re dhe Muzeu Arkeologjik i tij, përmbante disa statuja të bukura greke dhe romake. Prapa tij është një amfiteatër i ndërtuar në shekullin e dytë para erës së re dhe që mbante 15 mijë persona dhe një faltore të vogël të Shën Stefanit, me disa mozaikë të bukur.

Ne hëngrëm drekë në hotelin “Adriatiku”, një nga gjashtë hotelet më të mëdhenj të Durrësit që ishte në bregdet, rreth 2.5 milje larg qytetit. Menaxheri tha, se gjithnjë e më shumë europianë, sidomos gjermano-perëndimorët, po vijnë në këtë qytet, ku qëndronin këtu për dy javë, duke filluar që nga muaji mars, deri në nëntor.

Edhe një natë në Tiranë

Gjatë kthimit në Tiranë, ne zbuluam se nuk kushtonte shumë që të blinim në dyqanet kryesore. Këpucët dhe veshjet ishin relativisht të pamjaftueshme dhe të shtrenjta. Vendi më i mirë për të blerë dhurata ishte dyqani në hollin e hotelit, i cili ofronte variete të ndryshme të punimeve me bakër me ngjyrë të kuqe dhe të kuqërremtë, stoli me argjend të rëndë, punime dore të ndryshme dhe pipa me shqopë.

Mund të paguaje edhe në dollarë dhe çmimet ishin të arsyeshme. Në mbrëmje grupit tonë iu bashkuan edhe të tjerë për tek Opera e Shtetit dhe pamë një shfaqje shumë profesionale të “Paliaços”, me një biletë që kushtonte 50 cent. Pas shfaqjes, ne shkuam te një kafe e madhe që ndodhej në katin e dytë të Pallatit të Kulturës, e tejmbushur me njerëz të të gjitha moshave dhe pimë raki, një pije ballkanike e ngjashme me “Slivovitz” dhe limonadë. Hëngrëm edhe vezë të rrahura.

Përpara largimit nga Tirana, ne bëmë turin e zakonshëm te varri i Enver Hoxhës dhe Varrezat e Dëshmorëve që kishin rënë për çlirimin e vendit, që ndodhej në një kodër, mbi kryeqytet. Në përfundim të udhëtimit tonë, ndjeva keqardhje se ne nuk mund të shkonim për të parë Shkodrën dhe Alpet e Veriut, që thonë se janë shumë më të bukura, por më të varfra dhe të shpërfillura se Jugu.

Drejt jugut

Drejt jugut ne udhëtuam përgjatë majave të maleve me një pamje të mrekullueshme në të dyja anët. Rruga me kthesa zbriste poshtë drejt luginës së lumit Shkumbin, me industrinë e tij metalurgjike që nxirrte tym të zi dhe mjegulla të dendura bloze. Elbasani, ndonëse është qendër industriale, ka edhe mure të rralla që datojnë që në shekullin XV-të dhe xhami e kishë të vjetër, të dyja të mbyllura tashmë.

Teksa ndiqnim Luginën e Shkumbinit, ne arritëm te Liqeni i Ohrit, që ndodhej në një distancë prej 18 miljesh për së gjati dhe 9 milje për së gjeri, larg me kufijtë e Jugosllavisë. Në Pogradec, një pasuri liqeni e populluar, hëngrëm për drekë një troftë të freskët.

Ndalesa e fundit

Ndalesa jonë e fundit, Korça, është një qytet (atraktiv) me rreth 60 mijë banorë. Pasi bëmë rezervimet në hotelin “Iliria”, të shtunën në mbrëmje, ne iu bashkuam banorëve që po shëtisnin në bulevardin “Republika”, me banesa dykatëshe hijerënda anash, ku disa ishin të hapura për publikun dhe përdoreshin si galeri arti.

Gjatë udhëtimit tonë, disa grekë qaheshin se nuk mund të shfaqnin asgjë nga pasuritë e kishave të mrekullueshme ortodokse, të cilat janë mbyllur dhe janë kthyer në muzeume të brendshme. Në ditën e fundit, grupi shkoi te Muzeu i Artit Mesjetar Shqiptar, i cili kishte ikona të bukura të shekullit XII-të, veshje ceremoniale të shndritshme, piktura të bukura në dru, të shekullit XVII-të, me copëza zbukurimesh prej argjendi.
Pak më vonë, me disa pjesëtarë grekë të grupit tonë, ne brodhëm në pjesën e vjetër të qytetit me rrugica të shtruara dhe të ngushta, si dhe shtëpi të ndërtuara me gurë dhe me çati me tjegulla të kuqe.

Ne takuam një të moshuar shqiptaro-grek, që dëshironte të fliste në gjuhën e nënës së tij. Një i ri greko-shqiptar, iu afrua një greku dhe iu lut atij që ta shoqëronte për te të afërmit e tij në Greqi. Por ai iu përgjigj se do ta merrte atë, vetëm nëse do të arratisej. Në të majtë të Korçës, ne pamë të vetmin shartim në të gjithë ekskursionin tonë. Ishte një varrezë ushtarake franceze, e ngritur në nderim të ushtarëve francezë, të rënë në Luftën e Parë Botërore.

Në kufi, një “Mercedes” qeveritar ishte duke pritur që të merrte dy shoqëruesit shqiptarë, që do të ktheheshin në Tiranë. Zyrtarët e kufirit shqiptar, i panë në mënyrë të përciptë bagazhet tona, por u treguan të kujdesshëm gjatë kontrollit të autobusit, si dhe numëruan disa herë, të gjithë udhëtarët. Shqetësimi i tyre kryesor ishte se mos ndonjë shqiptar, ishte fshehur me synimin për të ardhur me ne.

Një roje ushtarake, me një uniformë ngjyrë gri në ulli, me një yll të kuq në kapele, ishte i gëzuar që kishte patur shansin të bisedonte me një turist amerikan. “E kam mësuar anglishten time në kursin e Oxfordit, por nuk e kam praktikuar asnjëherë”, – tha ai me keqardhje.

*Autorja është reportere e stafit “Metropolitan” i New York Times. Shkrimi është publikuar më 10 dhjetor 1989. Titulli është redaksional.

Përgatiti Albert Gjoka