Deputeti i PD-së, Flamur Noka dhe ai i PS-së, Ardit Bido kanë replikuar në Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ku diskutohej për projektbuxhetin e vitit 2026 për Emergjencat Civile.

Ligjvënësi demokrat gjatë fjalësu shpreh se në Shqipëri zjarret fiken me thupra, ndërsa shtoi se gjatë përmbytjeve deputetët e PS-së vishen me çizme peshkatarësh për foto e video.

“Kur ndodhin përmbytje, qeveria s’ka faj, fajin e ka dikush tjetër. Vetëm në Shqipëri kur ndodhin zjarret, fajet i ka Zoti, kur ndodhin  përmbytjet po fajet i ka Zoti”, u shpreh Noka.

Demokrati u përball me replikën e Ardit Bidos, i cili hodhi akuza se familjarë të tij kanë marrë banesa në Sarandë.

“Flamuri ka lidhje me Sarandën, janë dhënë shumë shtëpi nga Enti i Banesave për familjarët e tij, kështu që si sarandiot prisja të ishe atje”, iu drejtua socialisti.

Ndërsa Noka replikoi shkurtimisht duke i thënë që “halli i Gjipesë të bën të këndosh, të kërcesh dhe pastaj edhe të vjershërosh”, teksa Bido iu drejtua: “Gjipeja është aq hall i madh sa kanë votuar emrin tim dhe jo tuajin”.

Flamur Noka: Në kushte normale një diskutim për emergjencat civile do zinte peshë të rëndësishme në debat publik. Kur ndodhin përmbytje, qeveria s’ka faj, fajin e ka dikush tjetër. Vetëm në Shqipëri kur ndodhin zjarret, fajet i ka Zoti, kur ndodhin  përmbytjet po fajet i ka Zoti.

Ku kanë lënë ju që për faqe të zezë si askund tjetër, shef zjarrfikës që të dhimbsem duke fikur zjarrin me thupra, këto pamje i përkasin epokës së gurit, por epoka e Diellës i paska këto pamje që nuk i paskemi ditur ne që më thupra fiken zjarret.

Në Përmbytje sheh deputetë të maxhorancës që veshin çizme peshkatarësh, ndonjë vesh edhe kostum peshkatarësh e thjesht filmojnë asgjë më shumë sepse s’ka vëmendje shtetërore. Do shohim edhe ndonjërin duke bërë not në përmbytje, është për të qarë e qeshur kjo qasje që ka ky pushtet.

Ardit Bido: Prisja që kur ranë zjarret të ishit edhe ju aty në Delvinë, isha në Delvinë, rastisa atje, nuk bëra foto e video. Flamuri ka lidhje me Sarandën, janë dhënë shumë shtëpi nga Enti i Banesave për familjarët e tij, kështu që si sarandiot prisja të ishe atje.

Unë vajta aty, sepse po merresha me koordinimin por edhe kam nxjerrë Hasimenë nga shtëpia sepse po i digjej oborri i shtëpisë. Shkova dhe tani për përmbytjet, po ti nuk ishe fare, as ti dhe as mikja jonë Ina që është deputete e zonës. Vini këtu për të bërë poezi partiake, sepse s’dini parti është më e mirë dhe më e keqe, flasim për jetë njerëzisht, për emra, jo statistika. Prisja që t’i bashkoheshin kërkesës time për rritjen e financimit në Bashki sepse s’ka më fond t’i përballojë fatkeqësitë natyrore dhe të tregoni përralla.

Flamur Noka: Nuk do të bëj replikë, halli i Gjipesë të bën të këndosh, të kërcesh dhe pastaj edhe të vjershërosh. Është hall i madh Gjipeja

Ardit Bido: Gjipeja është aq hall i madh sa kanë votuar emrin tim dhe jo tuajin