Pavarësisht rikthimit në normalitet të jetës parlamentare, në Komisionin e Ligjeve ka patur tensione. Deputeti socialist Toni Gogu ka përmendur aksionin opozitar, gjë që ka acaruar një pjesë të deputetëve.
Deputeti Asllan Dogjani ishte ai që përplasi dorën në tavolinë dhe e cilësoi Gogun ‘dele’ të Edi Ramës dhe i kërkoi të mos merrej me punët e brendshme të opozitës.
Gogu tha se nuk po fyen njeri, ndërsa shtoi se po flet në hapësirën e tij të rregullores për të diskutuar.
Pjesë nga debati:
Tonin Gogu: Ju vini nga një aksion i mahnitshëm opozitar, për të cilin falënderoj vetëm Bardhin, i cili shkoi, ju gjeti, ju mori, ju solli dhe bëri shumë mirë që ne të debatojmë.
Asllan Dogjani: Je dele e Edi Ramës ti, more vesh apo jo.
Gogu: Zoti Dogjani, s’të përmenda. Mund të më thuash cila ishte fyerja ime? Të lutem! Fyerjet po i zë ti në gojë. Kujdes! Me shumë kujdes!
Dogjani: Ore vazhdo me procedurën, s’ke punë me ne
Gogu: Të lutem mos më dhuno, jam në hapësirën time rregullative për të diskutuar. Pse kërceni?! Ne ju dëgjojmë. Shumë që keni ardhur, të debatojmë.