Ushtarakët shqiptarë do të paguhen me mesataren e lartë të NATO-s. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama këtë të enjte. Ai theksoi se ‘kjo do të ndodhë në pak vitet që vijnë dhe jo pas 10 vjetësh’.
“Sot shpërblimi për ushtarin më të thjeshtë të Forcave të Armatosura me arsimin më të ulët është një shpërblim, i cili jo vetëm është mbi pagën minimale në mënyrë të ndjeshme, por është një shpërblim që do shkojë në rritje çdo vit. Sepse ne i kemi rritur pagat e Forcave të Armatosura, në vijim dhe do të vazhdojmë t’i rrisim.
Ambicia jonë është që të gjithë ata që veshin uniformën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë kur shkojnë në misione ndërkombëtare të mos ta shikojë asnjë nga poshtë lart prej kolegëve të tyre të vendeve të NATO-s. Ushtarakët tanë do të paguhen me mesataren e lartë të NATO-s dhe kjo do të ndodhë jo pas 10 vjetësh, por në pak vitet që vijnë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë e bëri deklaratën në një ceremoni për gradimin e sportistëve të nivelit të lartë. Ditë historike për sportin dhe Forcat e Armatosura e konsideron Kryeministri Edi Rama gradimin e tyre. Ai tha se përfshirja e këtyre kampioneve në Forcat e Armatosura përbën një vlerë të shtuar morale dhe profesionale.
“Sot pjesë e FA bëhen një grup sportistësh dhe sportistesh që flamurin kombëtar e kanë ngritur në majën më të lartë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe 3 kampione shqiptare nga Kosova që nga sot e tutje do të jenë bashkë me kampionet dhe kampionët shqiptarë nga Shqipëria nën të njëjtin flamur për të njëjtin mision, me të njëjtat ambicie dhe vullnete të bashkuara në funksion jo më vetëm të sportit, por edhe të FA.
Përfshirja e këtyre kampionëve dhe gradimi i tyre sot me gradën më të lartë si kolonelë dhe kolonele të FA si dhe i pjesës tjetër me gradat e tjera sipas arritjeve të tyre në sport përbën pa asnjë diskutim një vlerë të shtuar morale, një vlerë të shtuar profesionale përtej simbolikës”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se në këtë mënyrë kampionët shqiptarë dalin nga zona e braktisjes dhe harresës nga shteti.
“Kampionët dhe kampionet shqiptare tanimë të dalë përfundimisht nga zona e errët e braktisjes dhe harresës nga shteti do të jenë në mes ushtarëve tanë, do të jenë në mes drejtuesve të tyre, do të jenë në mes të gjitha atyre përpjekjeve për ta ngritur më lart ushtrinë tonë duke e vënë forcën e shembullit të tyre dhe njëkohësisht shembullin e forcë së tyre në dispozicion të trajnimit dhe stërvitjes psikofizike të forcave tona”, u shpreh Rama.