Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mirëpritur në Tiranë të premten e 29 shtatorit Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princin e Kurorës së Abu Dhabi-t.

Lartësia e tij shoqërohej nga një delegacion ku përfshihej Reem Al Hashimy, Ministër i Shtetit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Ahmed Jasem Al Zaabi, Kryetar i Departamentit të Zhvillimit Ekonomik të Abu Dhabit, Mohamed Alabbar, Kryetar i Eagle Hills Properties dhe një sërë zyrtarësh qeveritarë.

Deri më tani, agjendat zyrtare të të dyja palëve nuk kanë zbuluar asnjë detaj nga takimi në Kryeministri.

Më herët, Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan gjendej në Serbi ku u takua edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Kujtojmë që, në Kryeministri më 6 prill u firmos marrëveshja me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.

Bëhej fjalë për një marrëveshje strategjik mes Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kryeministri Rama e konsideroi asokohe këtë marrëveshje të një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për vendin.

Kështu, Abu Dhabi është gati të financojë të gjitha ose një pjesë të kontratave të sigurisë kibernetike të nënshkruara nga Shqipëria me kompani izraelite, e cila ka pak fonde për të financuar vetë blerjet