Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të kryeministrit Edi Rama për mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri.

Sipas tij, ky vendim nuk ka lidhje me ngjarjet e rënda sociale, por është një përpjekje për të kontrolluar qytetarët gjatë fushatës zgjedhore.

Sula thekson se rreth 1 milion shqiptarë vuajnë nga varfëria, ndërkohë që kryeministri, sipas tij, fokusohet te TikTok.

Deputeti akuzoi qeverinë se po përdor tragjedinë e vrasjes së një 14-vjeçari në shkollë si justifikim për të penguar komunikimin e opozitës me qytetarët dhe diasporën gjatë fushatës zgjedhore.

“1 milionë shqiptarë vuajn varfëri të theksuar, por kryeministri e gjen problemin te TikTok

42. 1% e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, pra afro 1 milionë qytetarë vuajnë nga varfëria. Sipas statistikave të INSTAT, e gjithë kjo popullatë nuk mund të sigurojnë dot kushtet për të patur një shtëpi të ngrohtë në kushtet që temperaturat pritet të shkojnë nën zero. Rreth 1 milionë Shqiptarë nuk kanë mundësi që të kenë vakte të bollshme për tu ngopur me ushqim e për të blerë rroba të reja jo se jo.

Përkundër propagandës me lugë floriri ku lideri ynë tenton ti shes mend edhe vendeve të BE, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen e popullsisë më të lartë në rajon. Përqindja e popullsisë që jeton në varfëri në Malin e Zi është 34.1% në Maqedoninë e Veriut është 32.%. edhe më e ulët është në Serbi.

Ndaj ikin Shqiptarët nga Shqipëria. Ata këtu nuk mund të krijojnë kushte pë një jetë më të mirë. Situatën e rënduar ekonomike në Shqipëri e dinë më mirë edhe ata që kanë ikur që në këtë dekadë kanë kaluar shifrën e mbi 1 milionë.

Por kur mendon që ka ardhur kulmi, kjo qeveri shkon edhe më në ekstrem. Kryetari i Partisë Socialiste, kryetari i qeverisë po përdor dështimin e institucioneve shtetërore në vrasjen e 14-vjecarit në shkollë për të ndërmarrë një akt që ti shërbejë për llogari elektorale. Mbyllja e TikTok nga qeveria shqiptare nuk bëhet pë të frenuar ngjarjet e renda në shkolla, por ka si qëllim bllokimin e një kanali që qeveria nuk e kontrollon dot gjat fushatës zgjedhore.

Mazhoranca do të bllokojë kanalet e komunikimit të opozitës me shqiptarët dhe më konkretisht edhe me diasporën.

Është e tmerrëshme kur edhe një ngjarje e rëndë si ajo e 14 vjeçarit në shkollën Fan Noli përdoret për qëllime të errta elektorale dhe jo për të kuruar plagë”, shkruan Sula.