Kryeministri Edi Rama iu bashkua festimeve për Ditën e Verës në Elbasan.

Në një prononcim për mediat, Rama përmendi edhe premtimin e bërë për pensionistët teksa shtoi se kësti i parë do të shpërndahet në prill.

“Më vjen mirë që në pragun e kësaj stine kemi disa lajme të mira për ata që punojnë dhe që besojnë te puna. Duke filluar nga paga minimale që përtej të gjitha programeve elektorale të të gjitha partive për këtë mandat, dhe përtej parashikimeve më optimiste është e mundur sot që të ngrihet në 40 mijë lekë.

Zbatimi është duke filluar nga prilli për të gjitha kompanitë, në shtet dhe në privat. Kemi gati edhe projektligjin për të mbajtur premtimin e dhënë që nuk do të ketë më tatim fitimi për pagën deri në 50 mijë lekë të reja. Sot me pagën minimale të riparë shkojmë në një pozicion më të mirë në rajon duke lënë pas disa vende.

Dua të uroj pensionistët dhe t’u them se përtej të gjitha thashethemeve, të përditshme të politikës dhe mediave, jo vetëm që nuk e kemi harruar premtimin për t’u shpërndarë një tjetër mbështetje speciale por siç e kemi thënë kësti i parë në prill dhe do të shikojmë menjëherë sesi kryesorja në administrimin e atyre të ardhurave do të jenë për pensionistët.

Urime dhe gëzuar paçi një stinë me diell dhe dritë dhe mbi të gjitha me sa më shumë dritë sidomos në mendje dhe në zemrat tuaja“, tha Rama.