Kryeministri Edi Rama ka hapur punimet e Konferencës 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë, një ngjarje tradicionale që këtë vit merr një rëndësi të veçantë për shkak të fazës vendimtare ku ndodhet procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Duke e cilësuar këtë periudhë si historike, Rama theksoi se asnjë ditë nuk duhet humbur në përgatitjen e terrenit për vendimin e ardhshëm të Komisionit Europian.

Ai vuri në pah rritjen e kredibilitetit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke e konsideruar profilin e vendit si në ngjitje.

Rama: Konferenca e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumë ëndërruar drejt BE-së dhe të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik kudo, duhet të fokusohen te ky objektiv historik që tani është më afër se asnjëherë tjetër dhe që duhet përmbushur me sukses.

Këto katër vite të cilat përkojnë me këtë agjendë janë katër vite ku asnjë ditë nuk duhet humbur dhe ku koha nuk pret për të përgatitur të gjithë terrenin e mbështetjes së vendimit që do të marrë Këshilli Europian për anëtarësimin në BE. Negociatat zhvillohen mbi bazë dypalëshe mes Shqipërisë dhe KE-së, por e gjithë atmosfera rreth tyre ka një rëndësi të vetën dhe është e ndikueshme nga faktorë të ndryshëm.

Është me shumë rëndësi puna e përditshme e shërbimit tonë diplomatik dhe fokusi i përditshëm sidomos në disa vende të BE-së. Besoj se ndani me mua mendimin se kjo konferencë zhvillohet në një moment kur kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë dhe ku profili i Shqipërisë si një vend në ngjitje dhe partner i besueshëm në rajon dhe gjithë tryezat ndërkombëtare është një aset i cili duhet shfrytëzuar në funksion të Shqipërisë 2030 dhe më tutje.

Është e domosdoshme që shërbimi ynë të zhdërvjelltësohet, të jetë një pike referimi për talentet, vajzat dhe djemtë që kanë dije dhe ambicie për ti shërbyer Shqipërisë. Nga ana tjetër të rrisë kapacitetin për të shkuar përtej rutinës së përditshme.

Dua të veçoj këto shembullin pozitiv që duhet të jetë një frymëzim për qasjen e Ministrisë së Jashtme në raport me shërbimin e gjithë procesit të punës në ambasadën tonë në Bruksel pranë Komisionit. Është bërë një pune e admirueshme për të hapur dyert për të gjithë ata që kishin dëshirë ti bashkoheshin skuadrës së ambasadës. Është arritur të krijohet një bërthamë që është një nga investimet më të bukura që është bërë në shërbimin tonë të jashtëm.