Kryeministri Edi Rama mori pjesë të mërkurën në punimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin, ku u diskutuan çështjet dhe sfidat e lidhura me pronën, në kuadrin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama theksoi se komisioni do të jetë i përhershëm gjatë gjithë periudhës së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE . Sipas tij komisioni do të jetë një instrument kyç për avancimin e këtij procesi.

“Në momentin që komisioni do të jetë permanent në kuvend dhe pikë referimi për institucionet dhe për të treja pushtetet, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ky komision është instrument i pazëvendësueshëm për procesin e anëtarësimit dhe negociatave, sepse atje shkojmë si front institucionesh që përfaqesojmë 3 pushtetet”, tha Rama.

Ai shtoi se komisioni do të ketë rol të rëndësishëm në zbatimin e detyrave të shtetësisë dhe përmbushjen e kushteve të vendosura nga BE për anëtarësim.

“Shumëkush dhe gjithmonë, sa herë që ka një iniciativë të re ngrihet dhe thotë: tani u kujtuat ju. Ne nuk jemi kujtuar tani, por jemi kujtuar që ditën e parë që kemi marrë detyrën. Në çdo hap të rrugës ka sfida të reja dhe nga ana tjetër çdo hap kërkon kohën e vet dhe forcën e vet.

Për të kuptuar mirë, për sa kohë përshtatja jonë është BE, atje volumi i punës për t’u bërë është jo vetëm shumë më i madh se sa volumi i punës që bëjmë, por është dhe i panegociueshëm.

Ata thonë negociata, por në fakt nuk janë negociata, janë detyra shtëpie që duhet t’i bëjmë, sepse ne duhet të hyjmë në shtëpinë e tyre dhe jo ata që duhet të hyjnë në shtëpinë tonë. Këto janë rregullat dhe këtyre rregullave ne u nënshtrohemi”, tha Rama.