Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në Belsh dhe prezantoi kandidatin për kryebashkiak Arif Tafanin.
Në fjalën e tij Rama theksoi se Belshi nga një vend që dukej si grumbull plehrash është kthyer në destinacion turistik. Sipas tij në Belsh vijnë brenda një viti 150 mijë turistë.
“Arifi është shumë modest, dhe sot e teproi me modestinë. Unë vërtetë e kam pasur bindje, fiksim që ky vend duhej kthyer në destinacion turistik, e kam pasur këtë bindje që kur kam ardhur për herë të parë.
Kur ky liqen ishte si pellg i rrethuar nga plehra, ferra. Ku bëmë aktivitetin e parë në aksin kryesor atje. Medemek bulevardi që ishte gjithë gropa. Kur erdhi Arifi që më mori, dukej dikur po më merrte të më çonte me ndonjë vakti, tha se rruga është shumë e vështirë.
Që në atë moment e kam parë të ardhmen e Belshit tek ky liqen si qendra e gravitetit të një zhvillimi shumë më të madh. Vetëm sa kemi filluar ta vëmë në punë.
Nëse sot ne jemi në një situatë ku brenda një viti këtu vijnë 150 mijë vizitorë dhe turistë, atëherë kjo që s’bëhej fjalë për turistë e vizitorë, por edhe kush jetonte këtu e kishte mendjen të ikte”, tha Rama.