Kryeministri Edi Rama theksoi gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Dibër se miti i pandëshkueshmërisë në Shqipëri ka rënë.

Kreu i qeverisë theksoi se edhe PS ka gabuar por shtoi se është e vetmja parti që në historinë e pluralizmit të vendit, ka kërkuar dialog dhe bashkëpunim për vendin.

“Sot janë të gjithë të prekshëm dhe miti i pandëshkueshmërisë është rrëzuar. Në Shqipëri nuk ka individë të pandëshkueshëm. Kjo duhet, mendoj unë, që të bëjë krenar çdo anëtar të kësaj familje politike sepse këtë hap historik në gjithë rrugëtimin e këtij vendi që kur ngriti flamurin e pavarësisë, mund t’ja mundësonte Shqipërisë dhe shqiptarëve vetëm PS.

Do të flas edhe për një sërë gjërash të tjera të rëndësishme, që janë arritur, por asgjë nga ato të cilat janë në një listë të gjatë gjërash që kemi arritur të realizojmë nuk kanë peshën e kësaj drejtësie, dhe të gjitha bashkë s’e kanë peshën e rëndësisë historike që ka kjo reformë në drejtësi, që ne e ëndërronim den baba den.

Kur them ne, kam parasysh të gjithë anëtarët e kësaj familje politike, sepse për fat të keq punët dhe politika në Shqipëri u nda në një mënyrë të atillë ku politikën dhe anën e keqe të saj, socialistët e kanë vuajtur në lëkurën e tyre prej ditës së parë.

E kanë vuajtur në lëkurën e tyre kur hidheshin në rrugë si leckë nga puna, kur edhe familjarët e tyre nuk shikonin dot një derë të shtetit që t’ju hapej por e kanë vuajtur dhe kur fitonin zgjedhjet, dhe nuk arrinin dot të gëzonin fitoren sepse kërciste një dajak që nuk kishte asnjë lidhje me vendet evropiane dhe aspiratat evropiane.

E kanë vuajtur sepse në historinë e lirisë dhe pluralizmit në vend iu ka takuar gjithmonë barra socialistëve të rindërtojnë atë që të tjerët kanë shkatërruar. Nëse i jep çdo fëmije panoramën e këtyre viteve, dhe i thua se ja kush është njëra palë dhe tjetra, ja dhe fusha dhe ja çfarë kanë bërë, t’i vëri emrin. Ke dy emra, ndërtues dhe shkatërrues. Çdo fëmijë dihet se kujt do t’i vërë emrin e shkatërruesit dhe ndërtuesit që nga viti ’91.

Kjo parti ka pasur gjithmonë sensin e shtetit, që shteti vjen përpara pushtetit, pavarësisht momenteve kur edhe PS ka gabuar. Dhe nuk është e rastit që kjo reformë, të cilën të gjithë socialistët e donin si gjithë shqiptarët, por edhe si njerëz që nevojën për drejtësi e shikonin për jetën e tyre të përditshme.

Kjo parti mund të ketë bërë shumë gabime, që mund të ketë pasur momentet e saj të përshkallëzimit dhe të shfryrjes së tensionit në jetën politike, por kjo është e vetmja parti në historinë e pluralizmit që më shumë se njëherë ka tentuar që të bëjë dialog dhe bashkëpunim për shtetin dhe shumë kohë më parë sesa ne të na jepej mundësia të vinim në jetë për reformën në drejtësi, përpara sesa të hynim në zgjedhjet e 2009, ne kemi ofruar qeverisë së asaj kohe, një pakt kombëtar për drejtësinë për të bërë atë gjë që e bëmë vetë më pas. U refuzuam harbutërisht por nuk hoqëm dorë nga ideja.”, u shpreh Rama.