Kryeministri Edi Rama do të mbledhë nesër në orën 16:00 deputetët e PS në Kryesinë e Kuvendit.

Kujtojmë se në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste e cila u zhvillua online më 11 Qershor, u vendos që Kongresi Zgjedhor të mbahet më 20 Korrik të këtij viti. Në këtë forum do të prezantohet dhe grupi i punës që do të punojë për programin elektoral për mandatin e 4 të partisë së majtë.

Kryesocialisti u ndal po ashtu në 4 pika kryesore. Qeverisja e forcimi i saj, funksionimi i ligjit, korrupsioni dhe nisma “Shqipëria e 2030-ës”.

Ende nuk dihet nëse në fokus të bisedimeve nesër do jenë pikërisht zgjedhjet e 2025-ës, megjithatë prej muajsh, PS është futur në proces rienergjizimi që parashikon dhe hapjen e dyerve për anëtarë të rinj.

Nga ky proces, sipas Ramës, kartën e anëtarësimit të Partise Socialiste prej Janarit e kanë marrë rreth 32 mijë qytetarë, nga të cilët 11 mijë të rinj nga mosha 18 deri 30 vjeç. Kryesocialisti siguron se regjistri aktual i forcës që ai drejton, ka 93 mijë anëtarë aktiv.