Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kritikuar sot komentet për emigrantët shqiptarë të Sekretares së Brendshme britanike Suella Braverman.
Rama tha në një intervistë për programin Radio Four’s Today se marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë kishin arritur një pikë shumë të ulët, të cilën ai shpresonte ta përmirësonte.
“Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike”, tha Rama.
Ai shtoi se “shqiptarët nuk kanë të bëjnë vetëm me varkat” dhe paralajmëroi që të mos lejohen që ‘disa mollë të kalbura’ të formojnë pikëpamjen e bashkatdhetarëve të tij.
Braverman pohoi para pak kohësh se ka një “pushtim” të emigrantëve që kalojnë La Manshin me varka të vogla, një referencë e veçantë për shqiptarët.
Rama tha se ”ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë të veçohen në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë i turpshëm për politikën britanike”.
I pyetur nëse nënkuptonte gjuhën e përdorur nga ministrat britanikë për vendin e tij, Rama shtoi se ”e kam fjalën pikërisht për atë që është folur për anëtarët e kabinetit duke filluar nga sekretari i Brendshëm”.
”Dua të them pikërisht atë që ka qenë si një veçim i një komuniteti të tërë, që nuk është diçka që ju bëni në qytetërimin tonë dhe diçka që nuk përfaqëson fare Britaninë e Madhe. Ne refuzojmë të kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë. Dhënia e një vule etnike krimit është në vetvete një krim”, tha Rama.
Ai theksoi se ”kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona”. Por, Rama tha se ishte shumë i kënaqur me Sunak pas një telefonate dhe se do të krijonte një opinion për kryeministrin pas takimit të tyre.