Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato foli për zgjedhjet në Shqipëri.

“Ne mbështetemi në vlerësimin që bën OSBE/ODIHR sepse ata janë ekspertët. Pjesa administrative ishte aspekt që meriton lëvdata, por raporti është edhe kritik: flet për pabarazi, përdorimin e gjerë të burimeve administrative, flet për presione ndaj zgjedhësve”, tha Gonzato në studion e “Dita Jonë” në A2 CNN.

Më tej, ambasadori i BE-së theksoi se tashmë “Shqipëria ka një mazhorancë të qartë dhe duhet të vijojë me reformat dhe duhet të trajtojë të gjitha rekomandimet e ODIHR-it me një reformë zgjedhore”

Kur u pyet nëse ka shqetësim në Bashkimin Europian për faktin që vendin tonë do e drejtojë një mazhorancë kaq e madhe, Gonzato u përgjigj: “Nuk më takon mua të bëj komente, por me këtë mandat të fortë, qeveria duhet të zbatojë ato reforma për të cilat është angazhuar dhe nuk ka kujt t’ia hedhë fajin.

Përshpejtimi i këtyre reformave është i rëndësishëm, por kjo nuk duhet të ecë në kurriz të transparencës apo gjithëpërfshirjes. Të gjithë duhet të kenë mundësinë të japin këndvështrimet e tyre për mënyrën se si zbatohen standardet e BE-së”.

“Shqipëria është angazhuar tërësisht që të bëhet anëtar i BE-së dhe që të bëhesh duhet të respektosh disa vlera e parime. Unë do të flas kur të mendoj që disa reforma nuk po ecin siç duhet. Këtë votë e shoh edhe si mesazh që shqiptarët duan të integrohen në BE”, shtoi Gonzato.

Sipas tij, “Bashkimi Europian e sheh rezultatin e zgjedhjeve si diçka pozitive, si sinjal që neve na duhet të mbajmë premtimet tona kundrejt Shqipërisë”.