Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mbrojti të enjten në Kuvend ndryshimet ligjore për Zonat e Mbrojtura, si një hapje rruge e zhvillimit të turizmit brenda këtyre zonave, pavarësisht shqetësimeve të organizatave mjedisore se në fakt po i hapet rrugë betonizimit të tyre.

E thirrur në interpelancë nga deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ministrja argumentoi se ligji në fuqi kishte qenë i ngurtë dhe strikt në mbrojtje të natyrës duke mos lejuar zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

“Andi nga Gjinari ka një objekt, shtëpinë e tij njëkatëshe, të cilën donte ta rikonstruktonte për ta kthyer në bujtinë, brenda pronës së tij, por për shkak të përcaktimeve ligjore të ligjit ekzistues të zonave të mbrojtura, projekti i tij, mjaft i këndshëm por edhe i dobishëm për fshatin, mori përgjigje negative nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura”– e nisi fjalën Kumbaro duke mbrojtur ndryshimet ligjore që liberalizojnë ndërtimet në këto zona.

“Sepse ligji ekzistues kishte vetëm 1 fjali; nuk lejohen ndërtime që ndryshojnë gjendjen natyrore të ekosistemit”- shtoi ajo duke shtuar se tashmë ndërtimet do të bëhen duke ruajtur ekuilibrin me natyrën.

 

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=629&loc=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2Fqeveria anashkaloi thirrjen e be se birn ndertime me 5 yje ne zonat e mbrojtura%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb

 

Megjithatë, kundërshtimi i këtij ligji nga organizatat mjedisore dhe opozita nuk lidhej me ndërtime si shembulli që solli Kumbaro, por me lejimin e strukturave të mëdha turistike dhe infrastrukturore brenda këtyre zonave duke rrezikuar shkatërrimin pa kthim të tyre dhe ekosistemit natyror.

Por Kumbaro i mbrojti këto ndërtime si “modele zhvillimi të qëndrueshëm” që do t’i shërbenin ofertës turistike të vendit.

“Ajo që ka ndodhur në këto vite është se realiteti ka ecur më shpejt dhe mendjehapja e shqiptarëve më shpejt se sa ligjet apo burokracia shtetërore, dhe na rezulton se realiteti në terren nuk na përputhet me ato që kemi në rregullore…”- argumentoi ajo nevojën për ndryshimet ligjore.

Ministrja pretendoi se ligji i ri ofronte “garanci” që projektet e turizmit elitar do të jenë miqësore me mjedisin.

Ndërkohë deputetja Zhupa e akuzoi mazhorancën se me ndryshimet ligjore po i hapte rrugë shkatërrimit të këtyre zonave në shërbim të oligarkëve të afërt me qeverinë. “Ligji u bë me porosi që Butrintin, Velipojën, Divjakën ta jepnin për ndërtim”- tha ajo.

“Ligjin e ke bërë për oligarkët, siç keni bërë në Gjirin e Manastirit”- iu drejtua ajo Kumbaros duke shtuar se me këtë ligj po lejohet betonizimi dhe tjetërsimi i ZM-ve.

Ndryshimet në ligjin për ZM-të u propozuan fillimisht nga një grup deputetësh dhe mbi draftin e tyre u bënë dëgjesat publike me aktorë të shoqërisë civile, por në momentet e fundit një variant i ardhur nga qeveria u miratua pa konsultim publik duke anashkaluar dhe një thirrje të BE-së për tërheqjen e tij.

Sipas versionit qeveritar që u miratua nga mazhoranca brenda ZM lejohet ndërtimi i strukturave të mëdha turistike dhe çdo veprimtari apo infrastrukturë tjetër mbështetëse në funksion të tyre.

Po ashtu, vendimmarrja për këto zona kalon në varësi të Këshillit Kombëtar të Territorit, një organ shtetëror që nuk e ka detyrim ligjor konsultimin publik./BIRN