Nga Ana SHKRELI –

Më vjen keq për veten që jetoj në këtë vend. Më vjen keq për të shkuarën, të tashmen e të ardhmen që ma dogjën. Më dhimbset vetja kur kthehem pas në kohë e kujtoj se zgjodha Shqipërinë për ta jetuar jetën time. Këtë Shqipëri që sot është marrë peng nga një mostër që del e kërcen tallava, pasi ka gënjyer se përdori shërbimin shëndetësor publik. Këtë Shqipëri që drejtohet nga një njeri psikik që vendin e ka tek 5-sa, por ka ikur prej andej e vendos për mua, për ty, për të gjithë ne. Një njeri i tredhur nga makthet e veta që, jo vetëm më vjedh çdo ditë, jo vetëm që më ka shkatërruar ëndrrat dhe të ardhmen, por edhe tallet me mua. Tundet e shkundet me benevrekë e tallava dhe as ia ndjen hiç.

Ndjej keqardhje për veten kur shoh që ai që po përpiqet ti marrë pushtetin këtij mostrës së tallavasë, nuk është tjetër veçse një tjetër psikik që ka vrarë e prerë, ka vjedhur e grabitur dhe për më të mirin ka zgjedhur një mostër si vetja. Bën edhe premtimin e madh: sapo të fitojë, do të shkatërrojë çdo gjë që ka ndërtuar ky mostra i pushtetit.

Po kush i tha që unë e dua këtë?

Është edhe një mostër tjetër vërdallë, por ky del e flet për hesap të vet dhe kur nuk i pëlqejnë komentet shan me “prag shpie” këdo që i del përpara.

Më dhimbset vetja akoma më shumë e më vjen të plas kur shoh se jam pjesë e një populli (atij që ka mbetur) që sa më shumë ia fusin – shumë herë para e akoma më shumë mbrapa – as më shumë tundet me tallavanë e atij që ia fut. Sa më shumë e lënë pa bukë, aq më fort duartroket. Sa më shumë e vjedhin, aq me lirë e shet të drejtën për të vendosur.

Çfarë populli u bë ky kështu?! Si dolëm në minorancë, unë, ti, të gjithë ne?

Mua më vjen keq për veten dhe keqardhjen time do ta shpreh tek fleta e votimit me 14 maj. Një vizë të trashë për të gjithë. Një vizë të trashë për ty mostër e tallavasë, për ty kriminel që do të riciklosh veten, edhe për ty gojëprishur, arrogant e pjellë të krimit.

Unë do të reagoj.

Po ti o popull që mbush barkun me Big Brother e tallava, ç’do bësh? Kur të mos kesh as tallava për tu argëtuar e as bukë për të mbushur barkun, çfarë do të bësh?