Kombëtarja e Shqipërisë do të rikthehet në fushë për dy ndeshjet e radhës kualifikuese në muajin qershor. Kuqezinjtë do të presin Moldavinë në datën 17 qershor në Air Albania dhe tre ditë më vonë do të vizitojnë Ishujt Faroe.
Ndaj Polonisë, Sylvinho pati mundësinë që për të parën herë të shohë skuadrën në fushën e lojës, ndërsa tifozët morën sinjalet pozitive nga skuadra, duke shtuar besimin se në këto kualifikuese ekipi mund të arrijë një nga dy vendet e para. Humbja me Poloninë e lë Shqipërinë në vendin e fundit, por barazimi i Moldavisë me Çekinë është një rezultat favorizues për kuqezinjtë.
Fundi i sezonit, është një moment delikat, ku pjesa më e madhe e lojtarëve janë të ngarkuar, por në anën tjetër kuqezinjtë duhet t’i bëjnë detyrat siç duhet, duke menduar se në shtator kundërshtarët e radhës do të jenë Çekia dhe Polonia, dy rivalët direkt për vendet e para.
Periudha deri në ndeshjet e radhës është e konsiderueshme e lojtarë si Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli e Keidi Bare pritet që të rikuperohen, ndërkohë që sytë janë dhe nga Armando Broja, i cili është në pikëpyetje nëse mund të zbresë në fushë deri në qershor.
Loja e treguar në Varshavë jep besim se kuqezinjtë do të kenë rritje në ndeshjet e qershorit, ku së bashku me trajnerin Sylvinho mund të festojnë pikët e para, për të besuar tek objektivi Gjermani 2024.