Kur do të lodhet Evropa, së qenuri viktimë në lojën e Vladimir Putinit, i cili po e përshkallëzon luftën e fshehtë të sabotazhit, vrasjeve dhe dezinformatave? Kjo është pyetja kryesore ndërsa zyrtarët perëndimorë shohin një intensifikim të ndjeshëm të fushatës hibride të Kremlinit në kontinent, por vazhdojnë të përpiqen pa sukses, për të zbatuar masa që mund të frenojnë agresionin rus.

Reagimi i derisotëm i Evropës

Masat mbrojtëse kanë qenë kryesisht qasja e deritanishme: përmirësimi i ndarjes së informacioneve të shërbimeve të fshehta, mbikëqyrje më e mirë, denoncime më të ashpra të agresionit të dyshuar rus dhe forcimi i infrastrukturës për të qenë më e qëndrueshme. Nga intervistat e fundit në selinë e NATO-s në Bruksel del qartë se Evropa e di që i duhet një përgjigje më e ashpër, por ende nuk ka gjetur mënyrën për t’i treguar Putinit se do të ketë pasoja nëse vazhdon kështu.

Sulmet e Kremlinit në Evropë

Lufta e Putinit kundër Evropës shërben pjesërisht si hakmarrje për mbështetjen që Perëndimi i ka dhënë Ukrainës. Megjithatë, ai nuk kishte nevojë për këtë pretekst; qëllimet e tij më të mëdha përfshijnë krijimin e pasigurisë dhe përçarjes në Evropë, dobësimin e aleatëve perëndimorë dhe testimin e vendosmërisë së NATO-s.

Sipas zyrtarëve të sigurisë, sulmet hibride të Rusisë janë intensifikuar këtë vit. Ato kanë ardhur në formën ë sabotazheve, si zjarret nëpër depo në Londër dhe Berlin të lidhura me ndihmat për Ukrainën; sulmet e sofistikuara, siç ishte arrestimi i nëntë operativëve në Poloni që planifikonin sabotazh dhe ndërprerja e GPS-ve në Detin Baltik, duke rrezikuar fluturimet civile; dhe sulme më të guximshme, si për shembull komploti për të vrarë drejtorin ekzekutiv të një kompanie armësh gjermane dhe pajisjet shpërthyese të fshehura në pakot postare DHL, që mund të kishin shkaktuar katastrofa ajrore.

Një tjetër incident përfshinte një anije tregtare kineze që hodhi qëllimisht spirancën mbi kabllot e komunikimit nënujor midis Suedisë, Lituanisë, Gjermanisë dhe Finlandës – të gjitha vende të NATO-s.

Rreziku përshkallëzimit

Sulmet hibride dhe lufta në Ukrainë kanë krijuar një moment kritik mes Rusisë dhe NATO-s, më i rrezikshmi që nga Lufta e Ftohtë. Zyrtarët perëndimorë paralajmërojnë se veprimet gjithnjë e më të rrezikshme të inteligjencës ushtarake ruse mund të çojnë në një krizë me viktima në tokë evropiane.

Ish-diplomati lituanez Eitvydas Bajarunas thekson se Evropa duhet të kalojë nga mbrojtja në ndëshkim, me masa të tilla i konfiskimi i anijeve dhe ekuipazheve, që do të frenonin sabotazhet e kabllove nënujore, apo edhe përdorimin e fondeve të ngrira ruse: Mbi 330 miliardë dollarë të bankës qendrore ruse janë ngrirë në Evropë. Deri tani, 50 miliardë janë përdorur për të mbështetur Ukrainën. Ky model mund të zgjerohet.

Pa një përgjigje të fortë nga Perëndimi, Putini do të vazhdojë ofensivën hibride në Evropë dhe ndoshta edhe në SHBA. Mbrojtja më e ashpër dhe deklaratat nuk mjaftojnë; duhen pasoja reale për të ndalur këtë lojë të rrezikshme.