Nga Sazan GURI –
Jo më larg se dje i Madhi i vendit na zbuloi shprehjen tjetër lidhur me punën dhe shqiptarët se punë paska, por shqiptarë nuk paska, që në pamje duket si gjëagjëzë që vetëm ky di t’i thojë, por në fakt është ‘’fruti’’ që ka mbjellë. Ndaj dhe jam i shqetësuar me politikat e të Madhit, madje me aq ‘mni’ sa vetë Akili, sepse kur hyja në zyrë më ngriheshin 10 punonjësa në këmbë, ndërsa sot s’kam kujt t’i them tungjatjeta veç mureve dhe tavolinave bosh të zyrës!?
1. Në ditët e para të tij i Madhi premtoi se do të hap 300,000 vende pune, në fakt i hapi, por bashkë me projektin e 40 për dëbimin e shqiptarëve, i hapi si dikur Cubrillovici në Turqi, ky i hapi në Angli e Gjermani.
2. Me poltikat e tij sa frymëzuese dhe shkatërruese ai iu shpalli luftë mjekëve të vendit, duke i akuzuar deri në palcë, toptan të gjithë ata, deri futje në burg duke bërë që për herë të parë studenti shqiptar i mjekësisë në vend të mbante libra të profesionit në bangat e shkollës lexonte gjermanisht për nga sytë këmbët.
3. Me poltikat e tij sa frymëzuese dhe shkatërruese ai iu shpalli luftë gjyqtarëve të vendit, duke i denigruar deri në ndjekje penale, toptan të gjithë, duke i detyruar të japin vendime politike sesa verdikte drejtësie, aq sa të thonë se keni të drejtë, por kemi urdhër duke ngritur gishtin për atë lart lart. Dhe ç’ndodhi! Asnjë gjyq i fituar nga qytetarët, nga komunitetet, nga bizneset, por të gjitha i fitonte padrejtësia e qeverisë, duke bërë që mijëra prej tyre të kërkojnë drejtësinë shpirtërore diku gjetkë.
4. Me poltikat e Tij të qëllimshme për të prodhuar gjasme energji nga lumenjt me 1260 Hec-e, devijoi rrjedhën e ujrave të Zotit në shtratet e lumenjve për në drejtime të djallit, duke i futur në tub, kanal derivues dhe tunele, duke iu humbur përjetësisht pikën e lidhjes mijëravjeçarë të një milion banorëve aktualë, por mbi të gjitha duke iu humbur shpresën për t’u kthyer fëmijëve të këtyre njëmilionëve, më sakt duke i dënuar përjetësisht me moskthim ata te kulla apo te toka e gjyshit, sepse si toka dhe kulla gdhihen pa pikëz uji, pale kur e mendon se ky prodhim energjie merret nga shkiau, që atë që nuk e bëri në shekuj me luftë e penë e bëri me anë të këtij të Madhi lehtë-lehtë se nuk ja ndjenë.
5. Me politikat e tij djallëzore bëri të dobësojë shkollat shqiptare, duke mbyllur Universitete që në vend se t’i forconte ato, duke iu shpallur luftë pedagogëve dhe studentëve, duke ngritur kultin e mosbesimit se këtu nuk bëhet, aq sa studentët ikin e shpëtojnë nga pedagogët e ‘këqinj’, dhe pedagogu shyqyr o muslluk që s’ke ujë për të larë sytë në agim, ku tan klasa politike i mëson dhe i kuron fëmijët jashtë shtetit dhe më e keqja për të mos u kthyer kurrë më, mjafton që ata të bëjnë dorë me pare këtu me politikat e tyre skifo, dhe më pas të jetojnë te fëmijët e tyre me këto pare. Fundi i kësaj politike – më pak nxënës e studenta në shkolla dhe më shumë burgje!
6. A nuk është ky i Madhi që shkatërroi ekuilibrin e vendosur mes fshatit dhe qytetit shqiptar, ku gjysma e popullsisë shqiptare kishte se me çfarë merresh në fshat. Ndërsa sot more vllezër, shitet si në vitet ’85 tan bagëtia për të shpëtuar nga varfëria, për shkak të politikave si të ikim, jo pse të rrijmë, aq sa nuk ka njerëz të ngrejnë arkivolin e gjyshit në fshat. Sepse ky i Madhi dështoi në mënyrë spektakolare në çështjet konkrete të zhvillimit të zonave rurale dhe sigurisë së ushqimit, dhe nuk mbështeti zhvillimin e vendit në sektorët e territorit, turizmit dhe sigurinë ushqimore. Së fundi, ky i madhi nuk ndoqi politikën e decentralizimit të shërbimeve bujqësore, të cilat nuk ishin kurrë shërbime pranë fermerit. A nuk bëjnë këto bjerrje të fshatit dhe të fshatarëve, ku dikur shikoje fshat e tabijat, ndërsa sot fshat fantazma si paslufte kur s’’ka luftë?!
7. A nuk është ky i Madhi që ka ende të dënuar 6000 qytetarë shqiptarë me gjoba të rënda për gjoja energji të papaguar, aq sa një qytetar në një fshat të Dibrës e rasën brenda pse merrte elektricitet sa për një llambushkë për vajzën që mësonte në gjimnnaz, kur ndërmarrje të mëdha dhe vetë institucionet shtetërore nuk paguajnë me miliona euro energji elektrike. A nuk të thot kjo mënyrë të sjelluri e shtetit se ti vajzë rritu, mëso e ik nga ky shtet e mu largo.
8. A nuk është ky i Madhi që ka ende të dënuar mbi 6000 qytetarë të tjerë shqiptarë, me gjoba të rënda për gjoja protesta e prishje të qetësisë për paudhësitë e Qeverisë. Vetë autori i këtyre rreshtave ka gjobë të pahequr në analet e policisë me 50 milion lekë të vjetra për protestën në mbrojtje të vendit lidhur me çështjen e detit më 6 janar 2022. Ndaj dhe i Madhi ynë bërtet tashmë se mbasi i vrau ”shpirtin” protestuesëve don t’i çoj një tufë me lule – në varr me pekule. Ndaj dhe dikur i thërrisje me qindra protestues për një orë, sot nuk thërret dot një protestues për 100 orë.
9. A nuk jemi ndeshur me falsifikime të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar, ku qeveria dhe gjithë institucionet në varësi të saj, përfshi edhe Bashkinë e Tiranës dhunuan qytetarët, iu prishën atyre shtëpitë, i përjashtuan nga proçesi i legalizimit tek Unaza e Re, tek zgjatimi i Bulevardit dhe kur shumë prej tyre protestuan, ata u rrahën, u nxorrën me dhunë nga banesat dhe arritën deri aty sa ja mbushën mushkëritë me gaz (B.Dervishaj; gazeta Telegrafi; e hënë, 15 mars 2021). A nuk të bëjnë këto, jo të ikësh ditën, por natën dhe me një këmbë biles?!
10. A nuk ndeshemi për orë e për minutë me korrupsionin zyrtar të pacak dhe paskaj në strukturat e shtetit ku tek shtetarët e sotëm gjen modelin më të përkryer të shëmbujve dhe gabimeve të rënda e të llojllojshme (Gj.Marku; Gazeta Telegraf;e hënë, 15 mars 2021). Dhe prapëseprapë ai i Madhi përdor filozofi naziste, duke goditur me gjuhë të fyerjes dhe të përçmimit (L.Rama; Gazeta Telegrafi; e hënë, 15 mars 2021). Ç’d.t.th kjo për të vegjëlit, kur shohin se mbreti fut dardha pa fund në gurmaz dhe sejmenët bëjnë kështu kërdinë nga pas, ndaj gjejnë zgjidhjen – jo të ikin, por t’ja mbathin!
11. A nuk janë ndërtimet pa kriter, ku nuk u ruajtën hapësirat publike, a nuk janë mbetjet të hapërdara, në qytet, fshat, zonë të banuar dhe të pabanuar, a nuk është ende ajri i ndotur, a nuk është uji i ndotur në rubinetet shqiptarë dhe me taksë pesëfish, a nuk kemi pa fund ujra të patrajtura kudo dhe gjithandej dhe paguajmë tarifë për ujra të pastra, a nuk kemi zhurma, a nuk vazhdojnë prerjet e pyjeve që e kthejnë sigurinë shëndetësore në pasiguri dhe zgjidhjes i jepet dum, duke ikur me hap dhe shpesh pse jo me vrap.
12. Kudo përplasje të qytetarëve për t’u mbojtur nga vetë Qeveriu, jo nga hajduti e gangsteri siç mund të ndodh random në jetë, diku grabitje uji i pijshëm si në Lumas të Beratit, diku prishje të Teatrit, diku prerje e grabitje hektarësh me pyje si në Skrapar, Leskovik, Përmet, Librazhd ku bëhet nami, diku ndotje deti, vajra në kanale, a nuk të thonë zgjidh e merr – o këtë jetë me tmerr si Derr i kënaqur o valoja jashtë shtetit si Sokrati në ekzil.
A nuk janë këto programe sesi të arratisesh dhe jo sesi të ndërtosh të ardhmen tënde dhe të families tënde këtu në këtë vend?! C”duhet të bëjmë – thjesht të përballemi!