Kanë kaluar gjashtë muaj që kur pozita e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë është vakante.
Administrata e Donald Trump nuk e ka caktuar ende përfaqësuesin e saj të ri në Prishtinë – një vonesë e pazakontë, përveç rastit kur Departamentit Amerikan të Shtetit i janë dashur tetë muaj për të zëvendësuar Christopher Dell me Tracey Ann Jacobson.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, SHBA-ja ka emëruar gjashtë ambasadorë në vend, dhe procesi i emërimit ka zgjatur mesatarisht katër muaj.
Albanian Post për këtë çështje ka kontaktuar Departamentin Amerikan të Shtetit në prill të këtij viti, por që nga ajo kohë e deri më sot nuk ka pranuar një përgjigje.
Ndryshe nga Kosova, Administrata Trump ka zgjedhur pasuesin e Christopher Hill. Trump në mars të këtij viti bëri të ditur se e ka emëruar Mark Brnovichin si ambasador të Shteteve të Bashkuara në Serbi.
Por, çfarë do të thotë kjo situatë për Kosovën?
Për analistin politik, Petrit Zogaj, ka tre mënyra për të lexuar këtë situatë.
“E para, e gjithë procedura për emërimet e reja në Departament të Shtetit, e që vijnë direkt nga Presidenti amerikan, më pas me konfirmim të Senatit, është e gjitha çështje formale dhe se nuk tregohet ndonjë rëndësi në renditje të tyre. E dyta, ekziston mundësia që shtetet pritëse, kanë organizuar një lobim paraprak që procedura e emërimit dhe të konfirmimit të ambasadorit amerikan të jetë më e shpejt”, shpjegon ai për Albanian Post
“E treta, shteti amerikanë, në bazë të një analize të mirëmenduar për orientimin strategjik në politikën e jashtme, të ketë prioritete specifike dhe shpejtësi të ndryshme për shtete të ndryshme për caktimin e ambasadorëve”, shton ai.
Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, Zogaj beson se kombinohen këto dy të fundit.
Emërimi i ambasadorit amerikan në Serbi, sipas Zogajt, vjen si rezultati i një ndryshimi në politikën e jashtme amerikane dhe bashkërendimi i tij me një lobim të Serbisë gjithnjë në rritje në 10 vjetët e fundit.
“Diçka që është gati e kundërta me atë që ka bërë Kosovë, sidomos në 5 vjetët e fundit”, potencon Zogaj.
Kosova, në vlerësimin e tij, ka dëmtuar gati në pa kthim raportin me SHBA-të gjatë Administratës së Joe Biden.
“Mungesa e besimit, premtimet e thyera të Qeverisë së Kosovës, që SHBA-ja nuk do të befasohet me veprimet e saj në Veri, pastaj neglizhimi i dialogut, ka bërë që administrata Biden të hiqte dorë pothuajse në tërësi nga komunikimi me Prishtinën”.
Ndërkohë tash me Administratën Trump, sipas Zogajt, Kosovës i duhet shumë energji që ta kthejë këtë besim të humbur.
“Presidenti Trump nuk do ta ketë as energjinë e as durimin që të merret me teket e Prishtinës për çështjet e brendshme e as për ato të jashtme. Ne këtë kuptim, nuk do të befasohesha aspak nëse SHBA-ja nuk do ta ketë fare prioritet caktimin e ambasadorit të saj në Kosovë edhe për një periudhë kohore”.
Se fokusi i SHBA-ve, sidomos i Administratës së Trumpit, nuk do të jetë më në Ballkan e ka konfirmuar edhe ish-Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Reeker.
Sipas tij, SHBA-të nuk do të angazhohen në Ballkanin Perëndimor si në 30 vjetët e fundit.
“Duhet të kuptohet se kjo është një pikë tranzicioni dhe se SHBA-ja nuk do të angazhohet drejtpërdrejt si në 30 vjetët e fundit”, tha ai gjatë në fjalimi në forumin e e “Iniciativës Pupin” në Beograd.
Diplomati amerikan vlerësoi se “rajoni e konsideron veten shumë më të rëndësishëm nga se është”.
“Amerika ka qenë e angazhuar në rajon për një kohë të gjatë. Që kur Donald Trump erdhi në pushtet, keni parë politikën ‘Amerika e Para’. Ka shumë sfida globale me të cilat presidenti dhe sekretari i shtetit duhet të përballen”, potencoi ai.