Kryeministri Edi Rama nuk u përfshi në debatin kur Kuvendi votoi pro heqjes së imunitetit të Arben Ahmetaj por përmes një video-mesazhi drejtuar opinionit publik shpalosi qëndrimin e tij të detajuar për këtë çështje.
Edi Rama foli me terma konkretë për dosjen e SPAKut, me akuzat që rëndojnë ish-numrin dy të qeverisë së tij
“Arben Ahmetaj nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua. Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve. Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm. Por ndryshe nga një rast i disa viteve më parë, kur ishim të bindur se kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar dhe ashtu bëmë, rasti i sotëm ishte një rast kur kërkesa e prokurorisë duhej miratuar pa asnjë ndryshim. Sepse ndryshe nga atëherë, kur prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, ç’ka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar prej saj nga kuvendi. Këtu mbyllet çdo koment imi mbi rastin konkret. Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë deri në fund në është një rast fajësie apo pafajësie. Por nuk mbyllet këtu ky mesazh, sepse më duket e udhës t’i rivendos edhe disa pika mbi i”, për këtë rrugë që vazhdon me bekimin e shumicës së shqiptarëve”.
Familjes së tij politike, Edi Rama ia përsëriti qëndrimin, nëse ata zgjedhin rrugën e korrupsionit.
“Kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku mund të bësh dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me mua, as me ne, po duhet ta mbajë vetë, qoftë kur del para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti, e qoftë kur i bie të gjendet para derës së drejtësisë. Ua kam thënë shumë troç dhe po e rithem këtu publikisht, unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët, po çdo bashkëpunëtor e zgjedh për të mos lëshuar rrugën dhe njerëzit që na kanë zgjedhur të gjithëve ne për t’i udhëhequr në këtë rrugë”.
Kryeministri foli edhe për organet e drejtësisë së re.
“Kjo është dita për t’u kujtuar të gjithëve, edhe njëherë, se gjithë çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe fakti se për herë të parë në historinë e Shqipërisë të pushtetshmit po humbasin pushtetin mbi drejtësinë – përtej të tëra rezervave që të gjithë mund të kenë, për arsye të ndryshme nga këndvështrime të ndryshme, për punën e SPAK-ut dhe të gjykatës speciale – e ka zanafillën pikërisht tek kjo shumicë që qeveris vendin, tek Partia Socialiste e Shqipërisë, tek grupet e saj parlamentare dje dhe sot, tek vendimmarrja jonë, më e guximshmja në historinë politike shqiptare të këtyre tre dekadave, për t’i hyrë detit në këmbë, në kërkim të një drejtësie për Shqipërinë, për shqiptarët dhe me shqiptarët”.