Nga Ben Andoni-

Dilemat më të mëdha të njerëzve të zakonshëm në Shqipëri, lidhur me Berishën, janë shumë të thjeshta dhe bazike: Nëse është kaq i errët dhe keni prova të DASH-it, atëherë pse nuk arrestohet?! Kurse militantët e vet: Është thjesht e bukur konspiracion me materialet e Ramës dhe mbështetjen e Soros, që do të prishë imazhin e njeriut që ka bërë Shqipërinë! Por, Berisha është më pro-amerikani në vend. Po DASH-i? Jo, ne të gjithë jemi pro amerikanë, por fajin e ka ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, vjen përgjigja.

Pse e ka këtë pafuqi të madhe shoqëria shqiptare për të vendosur pikat mbi “i”? Po pse ka kaq forcë Berisha? Pse Drejtësia harxhon kohë pafund me gjëra, që vërtetë janë shqetësuese, por që nuk i prishin narracionet e përditmërisë dhe nuk merren me të, për t’i sqaruar shqiptarët? Përgjigjja është e ditur, për ata që e njohin mirë si funksionon Shqipëria. SPAK-ut më shumë i duhet të jetë korrekt dhe të gjejë mbështetjen e të huajve (ndaj lajmet më të shpeshta janë takimet e zyrtarëve të saj me ambasadorët) sesa të rri “në hije” por të godasë hidhur. Ky shërbim “i vogël” që mund t’i bëhej Shqipërisë prej tyre, as mos e prisni prej tyre. Dhe, në fakt deridiku s’kanë faj. Me përmasat e krimit në vendin tonë, forcën e tij, pushtetin e pamatë të politikanëve, ata thjesht bëjnë sikur bëjnë. Është modul i njohur pune për demokraci si Shqipëria, që po shkon në kohë jo të mira. Këtu mbyllet.

Anipse, ky pushtet që ka ish-kryeministri tashmë nuk i duhet më as vetë Berishës. Paçka se po gëzon mëtimin për kryeministër, atë që nuk do ta ketë kurrë më si pushtet por edhe partiak, ai vazhdon e bën mitingje, grumbullon dhe sfidon me pushtetin e vet financiar. U del përpara kandidatëve të tij, kurse në rastin e “të riut” Këlliçi i jep të drejtën vetes të një shakaje, që po të kishte vërtetë disa struktura dhe pak demokraci në “Rithemelim” do t’ia tregonin vendin. Kjo nuk ndodh, ashtu si nuk ndodh asgjë më te PD-ja alla Berishë, përveç sfidës për t’i marrë qoftë edhe anëtarin e fundit PD-së Legale. Një grup pa identitet që merr çdo formë, por aspak atë të demokracisë, që kërkon bajagi punë, nuk është se mund të llogaritet si modeli i tyre. Po pse kanë kaq besim te Berisha? Sepse te PD-ja ka fituar teoria e ngushtësisë, ajo që njësinë e vendos mbi vetë parimet. Dhe, në këtë “provincë” të vogël, ku askush nuk del mbi primatin, fuqinë e ka Berisha, që di mekanizmat sesi funksionon ky organizëm dhe mbi të gjitha pse ajo i kundërvihet logjikës së botës demokratike. “Provinca” e Berishës është më e madhe sesa bota e demokracisë për PD-istët e “Rithemelimit”. Dhe, këtë “Provincë” ata po ia mbivendosin të gjithë shoqërisë. Një njeri që ka para për kaq aktivitete dhe është kaq mediatik, pse duhet të mos i besohet? Një njeriut që nuk i provohet asgjë si korrupsion, pse duhet të përflitet? Një njeri me të cilën merren vetë Shtetet e Bashkuara dhe nuk ia dalin, pse të mos i besohet?

Në fakt, e kanë një të drejtë. Berisha, pas Ramës, si tandem me atë kanë fuqinë më të madhe mbi shoqërinë shqiptare. Me një firmë të tyre, Berishës, dje, dhe Ramës sot, gdhihesh ministër, ambasador, gjithçka. Po ndërsa Rama e mbulon me mekanizmin shtetëror të administratës dhe pushtetin, po Berisha vallë? Askush nuk guxon të hulumtojë. As një institucion nuk mundet të hedhë dritë për atë pasuri, që mëtohet se lidhet me të dhe korrupsionin e tij? Po pse? Sepse fuqia e “provincës” që ka ngritur është pothuaj e barabartë me shtetin shqiptar. Më keq për ata që nuk e kuptojnë. Edhe më keq për ata që e kuptojnë dhe tundin kokën në mohim.