Që drejtësia shqiptare është në një ngërç total, kjo mjafton ta perovosh në kurriz një çështje, qoftë edhe civile, për një shkarkim të padrejtë nga puna, sepse zvarritja e vendimit shkon deri në 10 vite. Imagjinoni nëse bëhet fjalë për çështje pronash e më të rëndësishme, që duhet të kalojnë deri në Gjykatën e Lartë, sa kohë nevojitet për të marrë drejtësi në vendin tonë.
Në fakt, shprehja postulat “drejtësi e vonuar është drejtësi e munguar” e përmbledh gjithë situatën skandaloze me gjyqet në Shqipëri. Për ta evidentuar këtë fakt në mënyrën më denoncuese të mundshme ka menduar sot një shtetase e huaj, e cila ka protestuar nudo para prokurorisë së Tiranës.
Flitet për një shtetase kolumbiane, e cila thotë se ka kohë që sorollatet në dyert e drejtësisë shqiptare pa marrë zgjidhje, me pasaportën e sekuestruar, por pa nisur fare gjykimin e saj. Për pasojë, ka mbetur e “bllokuar” në Shqipëri.
Sipas informacioneve nga Prokuroria e Tiranës, ku kolumbiania ka protestuar dhe ka lënë të shastisur kalimtarët aty, ajo është në proces gjyqësor, i stërzgjatur mesa duket, pasi është kapur me 5 gramë kokainë.
Prokuroria i ka sekuestruar pasaportën derisa të mbarojë gjyqi e të marrë dënimin, por seanca përkatëse gjyqësore nuk duket asgjëkundi. Diçka që ndodh rëndom me çdo shqiptar, që duhet të zgjidhë një mosmarrëveshje civile, penale etj.
Nëse shqiptarët, si për çdo padrejtësi tjetër në këtë vend kanë zgjedhur të marrin arratinë drejt Gjermanisë e vendeve të tjera europiane, kolumbiania nuk pajtohet me një trajetim të tillë. Dhe ka zgjedhur këtë mënyrë të veçantë proteste, aq sa po bën xhiron e mediave shqiptare. Me siguri, do të përfundojë edhe në mediat e huaja, si “testament” se drejtësia e re në vendin tonë është një nocion, por jo realitet ku kryen punë në kohë.