“7 tetori do të jetë dita e kthesës së madhe”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga arresti shtëpiak, për protestën e organizuar nga opozita në hënën.

“Do të jetë dita e kthesës së madhe, do të jetë radha jonë, radha e qytetarëve. Beteja jonë nuk ndalet deri në krijimin e qeverisë teknike.

Pra, qëllimet tona janë qëllimet më demokratike, në kuptimin që kërkojmë të hapim rrugën për një proces të lirë dhe të ndershëm që Edi Rama e ka kaluar në një farsë të vërtetë.

Kërkojmë që Shqipëria të mos jetë më një narkoshtet, por një shtet ligjor. Kërkojmë ato që i mungojnë sot qeverisë shqiptare”, tha Berisha.

I pyetur për mënyrën e si do të protestohet, kreu demokrat tha se “qytetarët do shprehin revoltën e tyre me të gjitha mjetet e mosbindjes civile”, po pa dhënë më shumë detaje.

“Ajo që qytetarët do bëjnë ditën e hënë, do të tregojnë guximin, do shprehin revoltën e tyre me të gjitha mjetet e mosbindjes civile”.