Nga Brixhilda Xhuraj

“A do të ishte më e drejtë që të trajtohej inercia e kësaj ndasie duke futur statusin e vëzhguesit të vendeve që janë në tranzit nga çelja e negociatave deri tek anëtarësimi i plotë. Ky status i ndërmjetëm do të jepte disa privilegje, natyrisht pa të drejtë vote”.

Ishte ky propozimi i ngritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 16 tetor teksa mbante fjalën përshëndetëse në nisje të punimeve të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Propozimi i Ramës duket se është dëgjuar me kujdes nga kancelari gjerman, Olaf Sholz, Qeveria e të cilit sot doli me një udhërrëfyes të detajuar dhe inovativ për të zgjeruar Bashkimin Evropian.

Ideja gjermane e njëjtë me atë kryeministrit shqiptar: T’u jepet vendeve kandidate përfitime të hershme, duke përfshirë statusin e vëzhguesit në samitet e liderëve në Bruksel përpara anëtarësimit të plotë.

Propozimet e Ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, përbëjnë një ofertë për integrimin e vendeve kandidate në seksione të BE-së shumë përpara se të përfundojnë negociatat teknike për anëtarësim, të cilat mund të zvarriten me vite.

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë të gjitha anëtarë aspirantë për në BE.

Pranimi për cilindo prej tyre dukej një perspektivë e largët derisa pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia pranverën e kaluar bëri që Brukseli të fliste seriozisht për zgjerimin e unionit – përsëri.

Rama ashtu si Baerbock theksojnë se ideja e një unioni më të zgjedhuar me 33, 35, apo 40 anëtarë është diçka mjaft sfiduese për tu parashikuar në të ardhmen e afërt – por se mund të ketë një rrugë paralele.

“Të parët” e unionit duken se janë vendosur në garë: që shpresat e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim të mos shuhen plotësisht (jo krejt pa faj).

Ballkanit Perëndimor i është premtuar anëtarësimi në Bashkimin Evropian si një shpërblim për reformat që nga viti 2003.

Prestigjiozja “The Economist” shkruante në një artikull të publikuar muaj më parë se “Makina e Integrimit është ndezur”.

Kështu disa liderë evropianë kanë propozuar data të afërta e disa prej tyre fonde e investime.

Vetë Gjermania, në një gjest të madh politik njoftoi se, do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga posti i saj i garantuar i komisionerit evropian për të lënë vend për të ardhurit e rinj.

Optimistët e zgjerimit – tani në rritje në të gjithë BE-në – mendojnë se gjithçka që nevojitet është një dinamikë e re.

E, pyetja e numrit një të Qeverisë shqiptare gati një muaj më parë – “Mos ka ardhur koha që të riformësonim rrugëtimin nga bisedimet e anëtarësimit deri në anëtarësim dhe të mos nxitojmë duke vendosur afate anëtarësimi” – duket se po merr përgjigjen evropiane.