Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ishte këtë të martë në KLP ku ka bërë raportin vjetor të prokurorisë së përgjithshme.
Gjatë raportimit të tij ai tha se në vitin 2024 janë trajtuar 61091 materiale kallëzuese, pra 10,5 % më shumë në krahasim me vitin 2023.
“Gjatë vitit 2024, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë trajtuar 61091 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 10,5 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur 47501 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,8 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat 24921 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 3,4 % në krahasim me vitin 2023 dhe 179 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 10,9 % në krahasim me vitin 2023.
Janë mbartur 22401 procedime penale me një rritje prej 6,6 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2023. Është vendosur mosfillimi për 13590 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një rritje prej 36,6 % në krahasim me vitin 2023”,-tha Çela.
Tek kjo shifër e materialeve të trajtuara përfshihen: procedimet e mbartura; procedimet e reja të regjistruara gjatë vitit 2024 për veprat penale të parashikuara në Kodin Penal; procedimet e rifilluara gjatë vitit 2024; si dhe vendimet e mosfillimit të marra gjatë vitit 2024 pa përfshirë procedimet e regjistruara sipas kodit penal ushtarak.