Një nga projektet më ambicioze dhe më të debatueshme shkencore të dekadës ka nisur në Mbretërinë e Bashkuar: ndërtimi i ADN-së njerëzore nga e para në laborator. Ky zhvillim i jashtëzakonshëm, i cili sfidon kufijtë e biologjisë dhe etikës, është financuar fillimisht me 10 milionë paund nga fondacioni prestigjioz Wellcome Trust.
I njohur si Projekti i Gjenomit Sintetik Njerëzor, synimi i këtij programi është krijimi sintetik i seksioneve të ADN-së me qëllim trajtimin e sëmundjeve të pashërueshme, përfshirë edhe prodhimin e qelizave të afta për të riparuar organe jetike si zemra apo mëlçia. Kjo do të jetë hera e parë që shkenca kalon nga leximi i ADN-së në ndërtimin molekulë pas molekule të saj.
Dr. Julian Sale nga Laboratori i Biologjisë Molekulare në Kembrixh e quajti projektin “një hap gjigant përpara në biologji” dhe tha:
“Qielli është kufiri. Ne po synojmë terapi që përmirësojnë jetën e njerëzve ndërsa plaken.”
Sipas shkencëtarëve, kontrolli mbi strukturën e ADN-së do të ndihmojë në kuptimin më të thellë të rolit të gjeneve dhe krijimin e trajtimeve të personalizuara për sëmundje të rënda si kanceri, sëmundjet neurodegjenerative dhe ato gjenetike.
Por paralel me entuziazmin, projekti ka shkaktuar reagime të forta. Kritikët tërheqin vëmendjen se një teknologji kaq e fuqishme mund të keqpërdoret.
Dr. Pat Thomas nga organizata Beyond GM shprehet:
“Shkenca nuk është gjithmonë neutrale. Ekziston rreziku që kjo teknologji të përdoret për krijimin e ‘njerëzve të përmirësuar’ apo edhe për zhvillimin e armëve biologjike.”
Edhe akademikë të tjerë paralajmërojnë se kuadri ligjor dhe etik aktual mund të mos jetë i mjaftueshëm për të penguar përdorimet e rrezikshme të saj. Për këtë arsye, projekti do të shoqërohet me një program paralel kërkimi etik dhe social, i drejtuar nga sociologia Prof. Joy Zhang në Universitetin e Kentit.
Dr. Tom Collins nga Wellcome Trust thekson për BBC:
“Kjo teknologji do të zhvillohet një ditë, me apo pa ne. Qasja jonë është ta bëjmë tani, në mënyrën më të hapur dhe të përgjegjshme të mundshme.”
Ky projekt vjen pikërisht në 25-vjetorin e përfundimit të Projektit të Gjenomit Njerëzor, i cili shënoi hartëzimin e parë të plotë të ADN-së. Sot, shkenca po përpiqet jo vetëm ta kuptojë kodin e jetës, por ta krijojë vetë atë nga e para, një hap që mund të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si e kuptojmë jetën, sëmundjet dhe vetë njeriun.