Ish-presidenti uruguaian José “Pepe” Mujica ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, njoftoi pak minuta më parë kreu aktual i shtetit, Samandu Orsi.

“Me trishtim të thellë njoftojmë vdekjen e shokut tonë, Pepe Mujica”, tha Presidenti Orsi në një postim në platformën X (ish Twitter), duke shtuar: “Ju falënderojmë për gjithçka që na keni dhënë dhe për dashurinë tuaj të pafundme për popullin tuaj”.

Mujica, një figurë ikonike e së majtës në Amerikën Latine, i cili shërbeu si president i Uruguait nga viti 2010 deri në vitin 2015, u diagnostikua me kancer në maj 2024. Janarin e kaluar, ai zbuloi se kanceri ishte përhapur dhe se trupi i tij i plakur nuk mund ta toleronte më trajtimin.

Në një intervistë të dhënë nga bashkëshortja e tij për Radio Sarandi dhe të transmetuar të hënën, Lucia Topolanski tha se kanceri i Jose Mujicas ishte tani në “fazën përfundimtare” dhe se ish-presidenti 89-vjeçar po merrte kujdes paliativ për të lehtësuar dhimbjen.

“Presidenti më i varfër në botë”, siç e quanin, sepse ia dha pothuajse të gjithë pagën e tij si kreu i shtetit një programi strehimi social, José Mujica e bëri Uruguain një pionier në miratimin e masave progresive në lidhje me të drejtën e abortit, martesën midis çifteve të të njëjtit seks dhe legalizimin e kanabisit (vendi i parë në botë, në vitin 2013). Ish-guerili u torturua dhe kaloi 13 vjet në burg – pjesën më të madhe të të cilave gjatë diktaturës ushtarake (1973-85). Ai u zgjodh anëtar i parlamentit, senator, u emërua ministër dhe më pas mori presidencën e vendit me 3.4 milionë banorë.