Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur këtë të premte homologun e tij nga Sllovakia, Peter Pellegrini, në një ceremoni zyrtare në Presidencë.
Kjo vizitë është historike, pasi është hera e parë që një president sllovak viziton Tiranën.
Më pas dy presidentët kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Pellegrini tha se Shqipëria dhe Sllovakia do të fuqizojnë bashkpëunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Vizita sot është një piketë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, është hera e parë që një president i Sllovakisë viziton vendin tuaj. Kemi marrëdhënie të sinqerta për mbrojtjen, të lidhura me anëtarësinë në NATO. Për shkak të kësaj vizite do të shtojmë dhe fuqizojmë bashkëpunimin. Jam shumë i kënaqur që po vijojmë me bursa të studentëve shqiptarë në Sllovaki dhe presim të rriten edhe më shumë”, tha Presidenti sllovak.
Pellegrini shtoi më tej se Shqipëria është një destinacion i ri turistik për qytetarët sllovakë dhe shifrat po rriten vit pas viti. Presidenti sllovak shprehur hapur mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE duke thënë: “Pa zgjerim të BE, përfshirë Ballkanin Perëndimor, Unioni nuk do të jetë i plotë”.
“Ne do të jemi aleatët tuaj për integrimin dhe një avokat i fortë i juaji në këtë rrugë. Shqipëria ka bërë një progres të madh dhe vlerësojmë reformat dhe përmirësimin në të gjitha fushat”, nënvizoi Pellegrini.