Vendet e Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë të anëtarësohen në BE, kanë mbështetjen e Sllovenisë në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar me bllokun, shkruajnë udhëheqësit sllovenë, Nataša Pirc Musar, Robert Golob dhe Tanja Fajon. Nataša Pirc Musar është presidentja e Republikës së Sllovenisë. Robert Golob është kryeministër dhe Tanja Fajon është ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë.
Më 21 qershor, ishte 20-vjetori i Samitit BE-Ballkan Perëndimor që u organizua në Selanik të Greqisë. Në këtë ngjarje historike, Bashkimi Europian dhe vendet anëtare dhe kandidate nga Ballkani Perëndimor, u mblodhën për të diskutuar mbi perspektivat e ardhshme. BE-ja u zotua për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që vendet e rajonit u zotuan për vlerat e përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, solidaritetit dhe ekonomisë së tregut. Përfundimet e arritura në Samit mbeten një angazhim i qëndrueshëm për të gjithë ne në BE dhe për Ballkanin Perëndimor.
Sllovenia e vlerëson shumë Samitin, pasi ai dha një shpresë të re për stabilitetin e rajonit, pas disa vitesh luftëra, paqëndrueshmëri politike dhe stanjacion ekonomik, pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ai i dha jetë një ëndrre të re për një të ardhme europiane, që do të sjellë ndryshime pozitive: rritje të zhvillimit, përmirësim të lidhjeve dhe të kontakteve midis njerëzve. Në njëzet vitet e fundit, është arritur shumë përmes bashkëpunimit. Ballkani Perëndimor ka rritur nivelin e qëndrueshmërisë. Vendet e rajonit sot gëzojnë një sistem pa viza dhe rajoni ka shënuar përparësi të qëndrueshme ekonomike.
BE-ja, deri tani, është donatori dhe investitori më i madh në rajon. Sllovenia ka qenë një mbështetëse e fortë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Ne kemi ndihmuar partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, duke dhënë mbështetjen tonë politike dhe duke mbështetur proceset e lidhura me zgjerimin. Kjo ka qenë politika jonë afatgjatë që nuk do të ndryshojë.
Megjithatë, shumë mundësi janë humbur nga të dyja palët. Duket se entuziazmi fillestar për reformat në Ballkanin Perëndimor ka avulluar pjesërisht gjatë dy dekadave të fundit dhe si rezultat, drita në fund të tunelit për anëtarësimin në BE, duket se është më larg nga sa kishim shpresuar.
Megjithatë, BE-ja ka sfidat e veta dhe zgjerimi nuk ka qenë gjithmonë përparësi. Bashkimi Europian tani është i detyruar të përballet me pasojat e luftës në Ukrainë, gjë që na ka nxitur të rimendojmë qasjen tonë ndaj procesit të zgjerimit të BE-së. Ne besojmë se procesi i zgjerimit është në thelb një zgjedhje strategjike, jo vetëm një ushtrim teknik. Megjithatë, zgjerimi i mëtejshëm duhet të ndjekë vizionin themelor të procesit të integrimit europian, i cili mbështetet në solidaritetin dhe përparimin e vendeve kandidate. Nevojiten vendime të guximshme politike.
Mesazhet tona për rajonin, Europën dhe botën, janë të qarta. Së pari, theksojmë se BE-ja është një zgjedhje shumë e mirë për rajonin, por u takon vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin për të ardhmen e tyre. Së dyti, Sllovenia nuk ka interesa egoiste në rajon. Politika jonë udhëhiqet nga solidariteti me vendet dhe njerëzit e Ballkanit Perëndimor. Sllovenia dëshiron atë që njerëzit duan: qëndrueshmërinë dhe sigurinë, si parakusht për zhvillimin dhe përparimin ekonomik. Vendet e Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë të anëtarësohen në BE, kanë dhe do të kenë mbështetjen e Sllovenisë. /Monitor