Tapeti i kuq u shtrua për maturantët e Ersekës në qendër të qytetit, e më i veçanti ndër ta ishte Aldo Nurollari, i cili është me sindromën down.
Ai kishte shoqëruese shoqen e fëmijërisë, e cila mbajti premtimin duke I ardhur si shoqëruese në mbrëmjen e maturës, edhe pse prej vitesh jeton në Zelandën e Re.
Katerina Sulo ishte përkrah tij në minimaturë 3 vite më parë, por fjala e dhënë ndaj Aldos për ta shoqëruar edhe në maturë ishte premtimi i saj i mbajtur. ”Erdha për një arsye shumë të veçantë, për diçka që ndodh njëherë në jetë, nuk do e kisha mundësinë përsëri. Unë i premtova Aldos në 9 vjeçare kur dolëm në minimature që do dilnim bashkë në mature dhe me ne fund e realizuam. Për të qenë e vështirë ishte, për t’u zënë me prindërit vetëm pak sepse doja të vinim në Korrik, por matura nuk bëhej pa mua”, thotë ajo.
Dy të rinjtë njihen me njëri-tjetrin që në kopsht dhe marrëdhënia e tyre shoqërore ka qenë tepër e veçantë.”Aldon e njoh që në kopsht, kur u kthyem, që në kopsht. Ai është vëllai im jo vetëm shok. Jo, sepse ne jemi rritur me Aldon, të tjerët nuk e shohin me sy ndryshe. Ai është vëllai jonë në gjithë grupin e shoqërisë. Nuk mendoj se dikush do e veçonte asnjëherë”, shprehet Katerina.
E prekur, vajza që udhëtoi nga Zelanda e Re drejt Ersekës vetëm për të bërë të lumtur Aldon ka një mesazh për të rinjtë e tjerë.
“Mesazhi im është që mos shikoni dikë nga çfarë vuan apo çfarë e bën ndryshe, sepse nuk është sëmundje. Është unike. Nuk dua të qaj. Kjo e bën Aldon unik. Tani që jetoj ne Zelande Aldo me shkruan çdo ditë. Me thotë motra ime si je? Po nuk dëgjoi fjalën;” Jam mirë të keqen motra”, Aldo nuk do pushojë së shkruari. Aldo është njeriu me zemrën me të bardhë në këtë shesh”, apelon ajo.
“Premtimin s’e tret as dheu”, kthehet nga Zelanda e re për shokun me sindromën down. /Euronews Albania