Luan Baçi thotë se drejtuesit politikë në qarqe duhet të mbajnë përgjegjësi për humbjen e rëndë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.
Ai bëhet i pari nga PD, që kërkon përgjegjësi brenda PD-së, për humbjen e zgjedhjeve.
“Drejtuesi politik të gjithë qarqeve kanë përgjegjësinë kryesore, e përsëris sa herë të më pyesin. Drejtuesit politik kishin kompetencat dhe për të bërë listat, dhe për të drejtuar, dhe për të ndarë zonat.
Duke qenë njerëzit me kompetencat e tyre që, nëse ne do ishim fitues, do të ishin ata që ishte qeveria e ardhshme, siç do kishe privilegjet, duhet të kesh përgjegjësi.
Këtu nuk dalloj asnjë, as Bardhin, as Boçin në Shkodër, as Bylykbashin në Durrës. Performanca në Shkodër e Durrës ishte më e mirë se në qarqet e tjera, por ishim dobët. Ishte rezultat që dhe unë jam skandalizuar. Arsyet janë nga më të shumta.
Sido të ishte organizmi, kushdo të ishte nën drejtimin nuk mendoj se do të kishte diferencë të madhe. Nëse u morën 4 deputetë mund të merrnin 5 apo 6 kjo, nuk e e zgjidhte problemin. Vota është blerë jashtë kutisë së votimit.
6 muaj më parë Balluku në Fier solli 400 punonjës administrate që ishin në Fier pavarësisht s paguheshin me paratë e shtetit. Kanë transferuar dhe gjendjen civile. Flas për punonjës administrate që mbulonin zona të caktuara në qarkun e Fierit.
Berisha nuk hyn tek drejtuesit që disa i ka afër dhe disa larg. Është i baraslarguar, shtetar. Komunikimin e kam, por nuk e quaj veten njeri shumë të afërt. I sheh të gjithë në të njëjtin pozicion.
PD do të hyjë në një analizë. Besoj në shtator, pasi të mbarojë denoncimi i kësaj farse. Do të jenë strukturat që do mblidhen dhe do marrin vendime”, tha Baçi për MCN TV.
Megjithatë ai nuk i shkon deri në fund problemit, pasi përjashton Sali Berishën nga përgjegjësia për humbjen e zgjedhjeve të 11 majit.
“Po të mos ishte Berisha në krye të kësaj fushate ne nuk do të kishim as 10 deputetë. PD shkrihej”, tha ai.