Fati i Lindjes së Mesme do të vendoset në tre ditët e ardhshme.
Pse tre ditë? Përveç ndonjë përshpejtimi apo zhvillimi të papritur në terren, ky është afati që i ka dhënë vetes Donald Trump për të vendosur nëse do të fusë Shtetet e Bashkuara në konfliktin izraelito–iranian, duke kaluar nga roli aktual pasiv i mbrojtësit të qiellit të shtetit hebre (rol i ndarë me Mbretërinë e Bashkuar), në atë të sulmuesit, përkrah fushatës së bombardimeve të Izraelit mbi territorin iranian. Tre ditë për të shpresuar ende në një zgjidhje diplomatike, e cila megjithatë, për momentin, është pak më shumë se një iluzion. Koha po kalon. Dhe po shtrëngon.
Largimi i parakohshëm nga takimi i G7-ës nga ana e presidentit amerikan, thirrja e Këshillit të Sigurisë në “Situation Room” të Shtëpisë së Bardhë dhe ndryshimi i kursit të anijes Nimitz (aeroplanmbajtësja më e vjetër e flotës amerikane), e cila nga ngushtica e Malakës në Oqeanin Indian po zhvendoset drejt Detit Arab, ku do të takohet me një tjetër aeroplanmbajtëse amerikane (Carl Vinson) në Gjirin Persik, duken si shenja të një vendimi të marrë tashmë.
Çfarë po përgatitet të ndodhë, sipas burimeve të kualifikuara ushtarake të NATO-s të cituara nga Repubblica, do të jetë “niveli më i lartë i alarmit”. Brenda 72 orëve, kapaciteti ofensiv amerikan në rajon do të arrijë maksimumin.
Për më tepër, ajo që shkruan Trump në platformën e tij Truth Social tingëllon si një ultimatum. Ai kërkon “dorëzimin pa kushte” të Iranit dhe më pas lëshon një mesazh të drejtpërdrejtë për ajatollah Ali Khamenei: “Durimi ynë po shteron. Ne e dimë ku fshihet i ashtuquajturi ‘udhëheqës suprem’, është një objektiv i lehtë. Nuk kemi ndërmend të dështojmë, por ta eliminojmë.”
Pra, dy janë skenarët e mundshëm.
I pari, më pak i mundshmi, është që regjimi të dorëzohet, duke pranuar atë që deri tani ka refuzuar kategorikisht: të heqë dorë nga programi i pasurimit të uraniumit në fushën ushtarake. Ky është opsioni amerikan, i vetmi që mund të bindë Netanyahu-n të ndalojë ofensivën. Por do të ishte edhe më i pakapërdishmi për pasdaranët (rojat revolucionare iraniane), të cilët nuk janë të gatshëm të nënshtrohen, sidomos pas deklaratave për fitore dhe pas viktimave të shumta të shkaktuara nga Izraeli që duket se kanë bërë që edhe një pjesë e disidencës të mbështesë regjimin.
Skenari i dytë është duke u konkretizuar. Forcat e armatosura izraelite po e zgjerojnë si ofensivën ashtu edhe gamën e objektivave strategjike, përtej vendeve ku ndodh pasurimi I uraniumit.
Në këtë kuadër, ndërhyrja e SHBA-së bëhet e parashikueshme.
Sipas asaj që raportojnë burimet e NATO-s për La Repubblica, një reagim i mundshëm i Republikës Islamike, e vënë pas qoshes, mund të jetë përpjekja për të “djegur gjithë rajonin”, duke kalibruar raketat balistike (arsenali iranian kishte mbi 2.000 në fillim të konfliktit) drejt puseve dhe infrastrukturave të naftës në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Katar. Një veprim në stilin e Saddam Husseinit: një lëvizje e tërbuar shkatërrimi në shkallë të gjerë, që nëse realizohet, do të shkaktonte një katastrofë ekonomike dhe mjedisore, si precedentja e vitit 1991 kur udhëheqësi irakian dha urdhrin për djegien e mbi 700 puseve të naftës në Kuvajt.
Një mundësi tjetër: minimi i ngushticës së Hormuzit. Ndërhyrja amerikane, në vizionin e Pentagonit, synon të mbyllë menjëherë hesapet me ajatollahët.
Trump ka qenë gjithmonë i informuar për qëllimin e Netanyahu-t për të sulmuar Iranin. Deklaratat e tij për ndërhyrje të afërt gjatë ditëve të para ishin gjithashtu një mënyrë për të hutuar regjimin dhe për të ruajtur efektin e befasisë. Shërbimet e inteligjencës së NATO-s, nga ana tjetër, janë lajmëruar për operacionet izraelite vetëm 24 orë përpara.
Përveç aeroplan-mbajtëseve Vinson dhe Nimitz, SHBA ka dislokuar në rajon edhe një kryqëzor dhe tre luftanije. Një skuadër ajrore me F-35 dhe F-16 po vendoset rreth Iranit. Bazat ajrore amerikane, gjithashtu, do të përdorin 28 avionë cisternë për furnizim me karburant në fluturim për avionët luftarakë.
Arsenali amerikan përfshin edhe MOAB, bombat “bunker buster” me 13 ton, në gjendje të depërtojnë mbi 60 metra beton të armuar – armët e vetme të afta për të shkatërruar qendrat e kërkimeve bërthamore si Fordo, e ndërtuar thellë në brendësi të një mali.
Aviacioni izraelit vështirë se mund të mbajë ritmin e këtyre operacioneve për më gjatë: çdo mision mbi Iranin kërkon një fluturim prej 3.000 kilometrash dhe katër furnizime në ajër. Të premten parashikohet një ndalesë pjesore për mirëmbajtjen e avionëve dhe pushimin e pilotëve.
Nëse gjithçka do të shkojë siç është në planet e Netanyahu-t, deri të dielën Pentagoni do të ketë dhënë urdhrin për ngritjen e avionëve sulmues. Në drejtim të Teheranit. / bota.al