Komuniteti Mysliman Shqiptar ka reaguar në lidhje me raportimet mbi themelimin e një mikroshteti sovran të Urdhrit Bektashi.

KMSH u shpreh në reagimin zyrtar se është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri dhe se në këtë kontekst shpreh shqetësimin për deklaratat publike ku flitet për “Islamin modern”, “Islamin shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës.

Më tej në reagim thuhet se Shqipëria nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

KMSH nënvizon më tej se kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.