Policia e Fierit ka arrestuar njërin nga autorët e atentatit me armë zjarri ndaj nënë e bir një ditë më parë në fshatin Dërmenas të Fierit.
Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Paraprakisht u dyshua se shtetasja S. M. ishte plagosur nga të shtënat me armë zjarri, por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se 2 shtetasit (nënë e bir) u dëmtuan nga goditja e motomjetit me të cilin ata lëviznin, nga automjeti që drejtonte shtetasi i shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, babë e bir, të dy banues në këtë fshat, dëmtuan shtetasit H. M., 26 vjeç dhe S. M., 50 vjeçe, nënë e bir, të dy banues në fshatin Sulaj.
Policia vuri në pranga 66-vjeçarin, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e 23-vjeçarit.
Nga hetimet dyshohet se shtetasit A. C. dhe A. C., për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet 23-vjeçarit dhe 26-vjeçarit, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjetit me të cilin lëviznin shtetasit H. M. dhe S. M.. Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar.
Më pas, 23-vjeçari ka goditur me automjetin me të cilin lëvizte, motomjetin, dhe është larguar nga vendngjarja, së bashku me babanë e tij. Si pasojë e goditjes së motomjetit, janë dëmtuar shtetasit H. M. dhe S. M., të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe prova që do t’i shërbejnë hetimit për këtë ngjarje. Gjithashtu, janë sekuestruar njëri prej automjeteve të përdorur prej autorëve dhe 3 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtjeshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.