Emigrantët shqiptarë sollën 251 milionë euro pranë familjeve të tyre vetëm në tremujorin e parë të vitit, duke parë një rritje prej 4% në raport me vjet.

Megjithatë, në raport me vitet e tjera kjo rezulton te jete rritja me modeste për këtë periudhë të vitit. Evidentohet një rritje e dërgesave jo vetëm në rrugë bankare, por edhe në prurjet cash.

Pjesa me e madhe e dërgesave janë kryesisht nga shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali e Greqi.

Drejtori i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj, i ftuar në “Money Report” analizoi situatën, ndërsa theksoi se fakti që ka kaq shumë remitanca duhet lexuar si një nevojë që ka vendi ndaj ndihmave të huaja.

Ai theksoi se remitancat, por edhe të ardhurat që vijnë nga turistët, kanë ndikuar në zhvlerësimin e mëtejshëm të euros.

Sipas Vakajt, këmbimi i monedhës europiane nën nivelin 100 lekë është një sinjal jo i mirë për tregun dhe kjo ka efekte ekonomike dhe psikologjike te ata qytetarët, të cilët kanë kursimet e tyre në monedhën europiane.

“Fakti që kemi remitanca, kjo do të thotë se kemi nevojë për dërgesa nga jashtë, Shifrat e turizmit flasin vetë, është një shifër e konsiderueshme dhe është para që ka ndikuar në rritjet e ofertës valutore në vend. Me këtë flukse parash që hyjnë në vend, padyshim që euro do vazhdojë të bjerë.

Kemi rreth 8-9 miliardë euro të kursyera të shqiptarëve në banka dhe kjo është disi shqetësuese. Rënia poshtë pragut 100 lekë është element shqetësues. Në një periudhë në më pak se katër vjet, është padiskutim një shqetësues, si financiarisht dhe psikologjikisht”, theksoi Vaka.

Ai theksoi se Banka e Shqipërisë duhej të ndërhynte më herët, me qëllim që të frenonte rënien e mëtejshme të euros. Sipas tij, Banka Qendrore mund të përdorë disa metoda, të cilat do krijonin garanci për euron dhe do rriste më tej besimin te ekonomia.

“Besoj se jemi vonë, BSH me politikat e veta strukturore duhet të kishte ndërhyrë më herët. Ndërhyrja në mënyrë të drejtpërdrejtë apo ankandeve, sigurisht ka dhënë efekt.  Ndërhyrja e saj i ka dhënë garanci dhe tregut. Prezenca e euros në shifrat kaq të larta, ku 50 % e transaksioneve kryhen në euro, kjo është një kazus, e cila meriton vëmendje të shtuar”, pohoi ai.