Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar në lidhje me aksidentin ajror në Uashington, mes një avioni pasagjerësh dhe helikopterit të ushtrisë amerikane.

Trump, ka reaguar përmes një postimi në platformën e tij “Truth Social”, duke e cilësuar atë si një incident që “duhej të ishte parandaluar”.

“Helikopteri po shkonte drejt një aeroplani për një periudhë të gjatë kohore. Është natë e kthjellët, dritat në aeroplan po flakëronin. Pse helikopteri nuk u ngjit, as u ul, as u kthye? Pse kulla e kontrollit nuk i dha udhëzime të qarta? Kjo është një situatë e keqe që duket se duhet të ishte parandaluar. JO MIRE!!!“– shkroi Trump, duke ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e trafikut ajror.

Nuk është e qartë nëse deklaratat e presidentit bazohen në informacione zyrtare. CNN ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për më shumë detaje mbi këtë çështje.

Sipas raportimeve paraprake, në bordin e avionit ndodheshin 64 pasagjerë, ndërsa në helikopter ishin 3 pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Deri më tani, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin të paktën 19 trupa, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende.