Moti i keq ka goditur pjesën perëndimore të shtetit të Uashingtonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reshjet e zgjatura të shiut kanë shkaktuar përmbytje që nuk janë parë në Uashington për një kohë të gjatë, për shkak të daljes së lumenjve nga shtrati.

Sipas autoriteteve, të gjitha komunitetet u shpallën në gjendje të jashtëzakonshme.

Qindra mijëra njerëz kanë marrë urdhra evakuimi, ndërsa Garda Kombëtare është vënë në gatishmëri për të mbështetur operacionet e shpëtimit dhe për të ndihmuar të prekurit.

Qarku Skagit dhe komunitete si Burlington janë zhytur në ujë, dhe nivelet e tyre vazhdojnë të rriten në mënyrë të rrezikshme.

Dhjetëra njerëz u shpëtuan nga anijet dhe helikopterët, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se niveli i ujit do të mbetet i lartë për ditë të tëra.

Së fundmi, vihet re se përmbytjet shkatërruese kanë prekur edhe infrastrukturë të rëndësishme.

Rrugët dhe linjat hekurudhore janë mbyllur për shkak të shembjeve dhe mbeturinave, ndërsa rrëshqitjet e dheut në zonat malore po e bëjnë të vështirë aksesin për ekipet e shpëtimit, me autoritetet që janë detyruar të veprojnë edhe nga ajri./ko