Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit për të pezulluar punimet për ndërtimin e një HEC-i dhe një fabrike uji në zonën e Fanit në Mirditë, Zyra e Përmbarimit në Lezhë e shoqëruar nga banorët që kundërshtojnë ndërtimin bëri bllokimin e punimeve. Banorët e cilësuan ndalimin e punimeve një fitore, ndërsa kërkuan hetime për krim mjedisorë.
Nga Elvis Hila
Pas dy vjet protestash dhe një beteje të gjatë ligjore banorët e tre fshatrave në Fan të Mirditës shoqëruan të enjten zyrtarët e përmbarimit dhe policinë e Lezhës, ndërsa këto bënë bllokimin e punimeve të ndërtimit të një HEC-i dhe një fabrike uji në burimin e ujit pranë fshatrave të tyre.
Bllokimi i punimeve u bë pas një vendimit të Gjykatës Administrative e Apelit në Tiranë e cila ka pranuar një kërkesë për sigurim padie të 166 banoreve te fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebe, duke vendosur bllokimin e punimeve derisa çështja të gjykohet në themel. Vendimi i bllokimit u zbatua nga Zyra Përmbarimore në Lezhë, e cila kishte mbështetjen e policisë dhe bashkisë, ndërsa dhjetëra banorë u mblodhën dhe shoqëruan veprimet administrative.
Drejtuesja e Zyrës së Përmbarimit Liza Çuni, paralajmëroi drejtuesit e kompanisë për ndjekje penale nëse do vazhdojnë punimet në mënyre ilegale. “Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka marrë vendim për sigurimin e padisë, që do të thotë pezullimin e punimeve. Ne kemi ardhur ta zbatojmë këtë vendim dhe derisa gjykata të vendosë ndryshe, këtu nuk do të zhvillohen punime. Urdhëri i ekzekutimit ju është komunikuar edhe përfaqësuesve të firmës dhe nëse do të tentojnë të bëjnë punime ilegale do të përballen me ndjekje penale”, tha Çuni.
Përfaqësues të kompanisë që u shoqëruan jashtë kantierit nga policia, nuk qenë të arritshëm për koment. Vendimi i gjykatës u përshëndet nga banorët të cilët thonë se ndërtimi i HECE-ve dhe fabrikës së ujit dëmton mjedisin dhe le pa ujë këto fshatra, me potencial turistik.
“Vendimi i gjykatës është një inkurajim për neve si banor dhe jemi shumë të gëzuar. Këtu është një krim mjedisor dhe ekonomik që SPAKU duhet të veprojë dhe të çojë para drejtësisë ata që kanë dhënë këto leje, duke grabitur pasuritë natyre tona”, thotë Besnik Paci banor i zonës.
Paci tha se ata ishin të vendosur dhe do t’i shkojmë deri në fund betejës për të ndaluar ndërtimin e hidrocentralit dhe fabrikës së ujit. “Jemi mbi 150 banor të këtyre tre fshatrave që prekemi nga kjo masakër”, thotë Paci.
Banorët thonë se dëmet që sjell ndërtimi i HEC-it në këtë zonë janë të mëdha për bujqësinë dhe mjedisin. “Mirdita është një nga vendet me të pasura nëntokësore dhe duan të grabisin gjithçka. Marrja e ujit sjell pasoja të mëdha për neve sepse e kemi të varur jetesën me bujqësinë dhe blegtorinë. Por tashmë populli nuk flen më. Gjykata na ka dhënë të drejtë dhe jemi të vendosur që mos ta lejojmë këtë masaker që ka nisur të bëhet këtu, pa na pyetur fare neve si banor” thotë Ndue Prenga banor
Përfaqësuesi ligjor i banorëve Adriatik Lapaj e cilësoi vendimin e gjykatës një mesazh të qartë që mos të luhet më me pasuritë natyrore të Shqipërisë.
“Ky është një mesazh që i shkon çdo komuniteti në Shqipëri, për të rezistuar dhe përballur ndaj kujtdo që synon t’ju marrë jetën e përditshme. Uji është jeta e banorëve të tre fshatrave këtu në Mirditë dhe kërkohet për të bërë HEC. Ai nuk del as për të vaditur, ndaj çdo banor në çdo cep të Shqipërisë mos të lejojë që t’i vidhet jeta”, tha Lapaj.
Leja për ndërtimin e HEC-it dhe fabrikës së ujit në zonën e Thirrës është dhënë 20 qershor 2018 dhe projekti po zbatohet nga kompania “Sang 1” shpk, ndërsa deri më tani janë relizuar afro 50 % e punimeve. Ky është vetëm një prej disa dhjetëra konfliktesh të ngjashme që vijojnë prej vitesh në të gjithë vendin mes banorëve dhe kompanive e qeverive që kanë dhënë qindra leje për hidrocentrale në lumenj e përrenj.