Takimi i parë ndërmjet zëvendëspresidentit amerikan J.D.Vance dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky u përmbyll të premten në mbrëmje (14/2).

Vance dhe Zelensky folën për një “bisedë të mirë”.

Zelensky tha se ky ishte “takimi ynë i parë, jo i fundit”, por insistoi në nevojën për më shumë dialog.

Zelensky tha se duhet bërë më shumë punë në planin për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij. “Ne duhet të flasim më shumë, të punojmë më shumë dhe të përgatisim një plan se si të ndalojmë presidentin rus Vladimir Putin”, theksoi ai.

Në të njëjtën kohë, Zelensky shprehu mirënjohjen e Ukrainës për mbështetjen amerikane.

J.D. Vance nga ana e tij foli për bisedime të frytshme, duke theksuar se do të ketë zhvillime.

Qëllimi i Shteteve të Bashkuara është të arrijë një “paqe të qëndrueshme” në Ukrainë, një paqe që “nuk do ta zhysë Evropën Lindore në konflikt brenda pak vitesh”, tha zëvendëspresidenti i SHBA J. D. Vance, në takimin e tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Diskutimi midis Uashingtonit dhe Kievit do të vazhdojë dhe do të ecë përpara, tha ai.

Aktualisht nuk ka marrëveshje për mineralet kritike.

Kievi dhe Uashingtoni janë ende duke u përpjekur të arrijnë një marrëveshje për mineralet kritike që SHBA dëshiron të shfrytëzojë, pas bisedimeve midis Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Zëvendës Presidentit të SHBA John F. D. Vance, thanë dy anëtarë të delegacionit ukrainas.

Disa detaje do të duhet të zgjidhen, shtuan këto burime.

Ukraina i dorëzoi propozimet e saj për marrëveshjen dypalëshe Shteteve të Bashkuara pas përfundimit të hartimit të tyre, thanë më herët dy burime ukrainase, ndërsa Kievi përpiqet të sigurojë mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump në përpjekjen e tij për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.