Përdorimi i drogës nga adoleshentët është një nga çështjet më shqetësuese të shoqërisë.
Gjatë javës së fundit ka qenë në qendër të diskutimeve për shkak të operacionit të policisë që vuri në pranga shpërndarësit e lëndëve narkotike pranë shkollave. Numri është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, por cilat janë shkaqet që i çojnë të rinjtë drejt përdorimit të drogës?
“Për sa i takon pjesës së shkollave, adoleshentëve, ne e dimë që janë disa faktorë që ndikojnë: mosha në të cilën ato janë, presioni social që ata kanë, mënyra se si familja e trajton fëmijën.
Nëse kemi prindër abuzues të lëndëve narkotike është një fëmijë i cili patjetër mund të bëhet përdorues i lëndëve narkotike, është edhe trendi i kohës. Pra në një farë mënyre ne e kemi pothuajse si një rrugë të hapur për t’i bërë ata për të qenë shitës ose përdorues te lëndëve narkotike”, thotë psikologia Arjana Muça për TCh.
Mungesa e parave për të blerë drogën duke qenë se janë në moshë të vogël, është një nga pikat e dobëta që shpërndarësit e drogës përfitojnë, për t’i futur këta të rinj në ‘rrjetën’ e tyre, jo vetëm si përdorues por edhe për t’i kthyer ata vetë në shpërndarës.
“Pikërisht kjo i shtyn ata drejt rrugës jo vetëm për të qenë përdorues të drogës por edhe shpërndarës të lëndëve narkotike, gjë që u siguron atyre disa të ardhura.
Ajo që është e dukshme është që në fillim këto lëndë narkotike ofrohen falas në sasi të vogla derisa i afrojnë ato brenda grupeve të tyre dhe pastaj i kalojnë dhe në shpërndarës të lëndëve narkotike për arsye përfitimi”, theksoi psikologia.
Është pikërisht sjellja e tyre nën ndikimin e narkotikëve që i tradhton dhe e bën të dukshme problematikën, qoftë në syrin e familjarëve por dhe të stafeve pedagogjike, të cilët kanë komunikim të përditshëm si me nxënësit ashtu dhe me studentët në auditore.
“Ne e kemi shumë të lehtë për të dalluar një individ që është përdorues i lëndëve narkotike sepse nuk është i kthjellët qoftë kur komunikon, qoftë kur lëviz, qoftë dhe kur logjikon për një problem të caktuar.
Mënyra e të sjellurit është ajo që e reflekton menjëherë, janë agresiv në formën e tyre të të sjellurit, shpeshherë janë të dhunshëm, pra këto janë element dhe tregues që ne kuptojmë individin që mund të jetë përdorues i lëndëve narkotike”, tha Muça.
Bashkëpunimi mes familjarëve dhe mësuesve është një hap i rëndësishëm në identifikimin e rasteve, për t’iu dhënë ndihmën e nevojshme të rinjve për të nisur rehabilitimin.