Sokol Balla: Jam shumë i nderuar të takoj Bettany Hughes. Nuk di nga t’ia nis, por mendoj se ju urrej, dhe këtë duhet ta them që në krye të herës, sepse ju keni punën e ëndrrave të mia. Ju udhëtoni kudo dhe merreni me kulturën dhe historinë. Mbresëlënëse…
Bettany Hughes: Jam me të vërtetë e lumtur ta bëj këtë punë. Është me të vërtetë mbresëlënëse dhe gjithmonë i them vetes që jam me fat dhe kam privilegjin të bëj këtë punë. Por në fillim ama ishte betejë. Shumëkush pyeste, e kujt i intereson historia, kush do të shohë histori në televizion, dhe kujt i pëlqen t’i bëjë leksion historie një grua? Në fillim në nuk ishte e thjeshtë, por jam tejet e lumtur që kam këtë karrierë, sepse adhuroj të udhëtoj dhe më bën të lumtur. Marr atë çantën time të shpinës të mbushur me çdolloj gjëje të vogël të nevojshme, gjë që më fal shumë lumturi.
Sokol Balla: Kam parë ‘Britain from Above’, një dokumentar fantastik në BBC apo Channel 4 dhe më pas kur pashë serialin tuaj u mahnita. Pastaj pashë punën tuaj për Shqipërinë dhe pa dashur t’ju bëj komplimente, besoj se më keni bërë ta dua edhe më shumë vendin tim.
Bettany Hughes: Më gëzoni vërtetë që e thoni këtë dhe që jeni pikërisht ju që e thoni, sepse kur bëjmë reportazhe për vendin e dikujt tjetër është përgjegjësi e madhe, dhe e kuptojmë fare qartë që ne jemi vizitorë në vendin e dikujt tjetër. I shohim gjërat nga këndvështrimi jonë, kështu që gjëja më e rëndësishme është që vendasit të jenë të qartë që po flasim për vendin e tyre dhe të mos mendojmë që i kemi ndryshuar historinë. Dhe siç thatë edhe ju, mbase edhe ta duan pak më shumë atë, duke kuptuar kështu bukuritë që ne shohim si vizitorë, dhe kjo mund të ndodhë shpesh. Kur jeton në një vend mësohesh me çka ai ofron, por duke qenë se ne udhëtojmë, jemi shumë të ndërgjegjshëm për bukurinë dhe entuziazmin e jashtëzakonshëm të ngjarjeve dhe historive, si dhe gëzimin e të vizituarit të një vendi. Me të vërtetë më bëtë komplimentin më të mirë të mundshëm.
Sokol Balla: E keni parasysh atë pjesën e udhëtimit tuaj në Liqenin e Komanit, atë pamjen nga lart. Mbaj mend që kam qenë atje në vitin 1997 kur kishim problemet tona në vend dhe ishim shumë të stresuar. Në atë kohë punoja për një rrjet tjetër të huaj dhe më thotë kameramani: “Qetësohu, shih jashtë, shiko atë anijen.” Ishte e njëjta anije me të cilën udhëtuat ju, dhe pikërisht ju ma treguat përsëri në dokumentar, mendova: Duhet të shkoj përsëri atje, por tani në kohë më të qeta. Si morët vesh për Shqipërinë? Përse e zgjodhët atë?
Bettany Hughes: Së pari, sepse jam historiane. Dhe siç e dini mirë, këtu ka kaq shumë histori të jashtëzakonshme dhe ky është specialiteti im. Mund të shoh Epokën e Bronzit deri në periudhën klasike, pra nga 3000 vjet më parë deri në Mesjetë. Për Shqipërinë kam lexuar gjithmonë. Kur studioja në Oksford, në Angli, kam lexuar historitë e shqiptarëve të hershëm dhe gjurmën e pabesueshme që kanë lënë, por nuk kisha arritur asnjëherë të vija këtu. Pastaj, besoj 15 ose 16 vjet më parë, isha në Korfuz së bashku me dy vajzat e mia dhe u thashë: Do t’i hipim varkës dhe do të shkojmë në Butrint. Pra, përvoja ime e parë me Shqipërinë ishte një vizitë njëditore në Butrint. Natyrisht rashë në dashuri dhe u ktheva për realizimin e një seriali radiofonik për Rrugën Egnatia, rrugën romake që lidhte bregdetin këtu me Stambollin e sotëm. Kur po punoja për këtë serial, mendova se ky ishte një prej vendeve më të bukura ku kisha qenë dhe se duhet të ktheheshim për një realizim televiziv. Pra në një farë mënyre ardhja deri këtu ishte proces me tre faza./abcnews.al