Ashtu siç ishte paralajmëruar, pas tre orësh që bllokuan akset rrugore të vendit nga veriu në jug, në 6 nyje nevralgjike, Partia Demokratike e ka mbyllur protestën në orën 20:00 të mbrëmjes.
Për 120 minuta, duke nisur nga ora 17:00, drejtuesit më të lartë të PD, deputetët dhe mbështetësit e opozitës mbajtën të bllokuar mbikalimin te “Kthesa e Kamzës”, rrethrrotullimet e Shkozetit, Bradasheshit, Levanit dhe Rrogozhinës, si dhe kryqëzimi i Milotit.
Protesta u shoqërua me disa akte të mosbindjes civile, si djegie gomash e koshash të mbeturinave, por nuk pati përplasje me qytetarë të bllokuar në rrugë.
Incidenti më i rëndë u regjistrua në Tiranë, ku protestuesit dhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u përplasën me policinë dhe efektivët e FNSH-së për pak minuta te “Kthesa e Kamzës”.
Përplasjet verbale me policinë nuk munguan as në Elbasan, ku Tomorr Alizoti e Ivi Kaso kritikuan forcat e rendit, madje duke i akuzuar se provokuan protestuesit që kishin bllokuar rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ishte ai që e mbylli protestën në kryeqytet, ku nga Kthesa e Kamzës tha se mosbindja civile do të vazhdojë dhe e quajti këtë të sotmen një “fitore” të opozitës.
“Dua të bëj me dije se sot ka qenë ditë e zezë për narkoregjimin. Ata kanë sjellë narkopolicinë me qëllim që të intimidojnë opozitën. Mosbndja civile ka filluar të japë frutet e veta. Mosbindja civile do t’i japë zgjidhje Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mosbindja civile do të vazhdojë. Kthim nuk ka, qëndresa dhe rezistenca do të japë frutet e saj”, deklaroi Flamur Noka.
Protesta e kësaj të hëne ishte në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike, rrëzimin e Edi Ramës dhe lirimin e kryetarit të tyre Sali Berisha.