Gjykata e Posaçme ka vendosur heqjen e masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për dhëndrin e kryedemokratit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

GJKKO ka marrë këtë vendim, kundrejt një garancie pasurore prej 3 milionë lekësh, të vënë në dispozicion nga Malltezi.

Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, ish-kryeministri Sali Berisha.

Të pandehur për dosjen “Partizani” janë ish-kryeministri Sali Berisha, Jamarbër Malltezi si dhe tre persona të tjerë.

Ndaj kreut të PD-së është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.