Ndikimi i luftës Izrael-Hamas do të jehojë në mbarë botën, me pasoja për Lindjen e Mesme, Evropën, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që sfidat specifike ndryshojnë, asnjë nuk ka interes ta zgjasë apo zgjerojë konfliktin.

Nga Mark Leonard

Në Lindjen e Mesme është rikthyer lufta. Gati një muaj pasi militantët e Hamasit kryen sulmin e tyre brutal, hakmarrja ushtarake e Izraelit vazhdon me një ofensivë tokësore në rritje në Gazën e kontrolluar nga Hamasi. Për njerëzit që jetojnë, ose kanë familjarë, në Izrael – përfshirë mua – kjo është një krizë thellësisht personale. Në të njëjtën kohë, shumë njerëz në mbarë botën identifikohen me mijëra palestinezë që janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite. Por, duke lënë mënjanë lidhjet personale, kjo është gjithashtu një krizë gjeopolitike, ndoshta edhe më e thellë dhe më e gjerë në ndikimin e saj global sesa lufta në Ukrainë.

Pasojat më të menjëhershme do të ndihen në Lindjen e Mesme. Për vite me radhë, kryeministri izraelit Binyamin Netanyahu operoi nën iluzione që tani janë shkatërruar. Më e madhja ishte pritshmëria që Izraeli të mund të normalizonte lidhjet me botën arabe pa adresuar çështjen palestineze, të cilën ai me sa duket besonte se thjesht mund të zhdukje.

Tani, kjo çështje është bërë e pamundur të shpërfillet. Pavarësisht nga rezultati i ofensivës së tij në Gaza, Izraelit do t’i duhet të bëjë disa analiza serioze, ndoshta duke rimenduar plotësisht strategjinë e tij drejt procesit të paqes në Lindjen e Mesme që po vdes. Arabia Saudite, e cila ishte në prag të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, tani ndoshta do të kërkojë disa lëshime për palestinezët përpara se të ecë përpara, që të mos shkaktojë zemërimin e popullsisë së saj dhe të botës më të gjerë myslimane.

Izraeli ka një të drejtë të pakundërshtueshme të vetëmbrohet. Por ekziston rreziku që, në dëshpërimin e tij për të rimarrë kontrollin e narrativës dhe për të ruajtur pozicionin e tij politik, Netanyahu do ta zgjasë luftën ose do të inkurajojë një përshkallëzim rajonal. Me aleatët e tij nominalë në Gji, Netanyahu mund të shpresojë të rikthejë plejadën e tij të preferuar gjeopolitike: Izraeli dhe shtetet arabe sunite përballen me “boshtin e rezistencës” të Iranit, me palestinezët edhe një herë të reduktuar në një shfaqje anësore në një përballje shumë më të gjerë.

Konflikti do të ketë gjithashtu pasoja të rënda përtej Lindjes së Mesme, me Ukrainën si një nga humbësit më të mëdhenj. Dhuna dhe vuajtjet që po durojnë njerëzit e vendit nuk duken aq të jashtëzakonshme sa dikur. Imazhet e transmetuara nga Gaza janë po aq tronditëse sa çdo gjë që ka dalë nga Kharkivi apo Mariupoli. Madje, për shumë njerëz, lufta në Gazë e bën Ukrainën të duket si një konflikt “lokal” evropian.

Duke pasur parasysh se mbijetesa e Ukrainës varet nga mbështetja e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar, çdo gjë që e largon vëmendjen nga lufta e saj është një lajm i keq. Për më tepër, nëse lufta Izrael-Hamas përshkallëzohet, me Iranin që hyn në përleshje, ndikimi në çmimet e naftës mund ta bëjë më të shtrenjtë për Perëndimin ruajtjen e sanksioneve të tij ndaj energjisë ruse.

Për Evropën më gjerësisht, kriza në Gazë ngre disa sfida. Si fillim, ajo ka nxjerr në pah probleme të thella brenda Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Franca, për shembull, ka regjistruar më shumë incidente antisemitike në tre javët e fundit sesa kishte regjistruar gjatë vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, lufta Izrael-Hamas ka nxitur fragmentimin midis shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Pas pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë vitin e kaluar, vendet evropiane treguan unitet të jashtëzakonshëm. Por udhëheqësit e BE-së tani po e ndajnë fokusin e tyre mes Ukrainës, Nagorno-Karabakut (të cilin Azerbajxhani e rifitoi së fundmi pas një ofensive ushtarake 24-orëshe) dhe Gazës. Në votimin e javës së kaluar mbi një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një armëpushim humanitar në Gazë, vendet anëtare të BE-së votuan tre mënyra të ndryshme.

Përgjigja shambolike e BE-së ndaj luftës Izrael-Hamas e ka bërë reagimin e fuqishëm të Kinës edhe më të dukshëm. Ndryshe nga përpjekja e saj për të qëndruar neutrale pas pushtimit rus të Ukrainës, Kina shprehu shpejt mbështetjen për palestinezët. Përgjigja e Kinës është bërë pjesë e shtrirjes së saj në Jugun Global. Dhe diplomatët kinezë padyshim që po përpiqen të nxjerrin në pah standardet e dyfishta perëndimore – Izraeli kundër Rusisë, palestinezët kundër ukrainasve – gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm.

Por mbajtja e anëve mund të shkaktojë komplikime për Kinën. Më e dukshme, një konfrontim më i gjerë rajonal mund të prishë paqen e brishtë që Kina arriti të ndërmjetësonte midis Iranit dhe Arabisë Saudite.

Sa i përket Shteteve të Bashkuara, është bërë klishe përshkrimi i përvojës së tyre në Lindjen e Mesme me një rresht nga Kumbari, Pjesa III: “Pikërisht atëherë kur mendova se kisha dalë, ata më tërhoqën sërish brenda.” Kjo është veçanërisht e përshtatshme sot, pasi administrata e presidentit të SHBA-së Joe Biden ka treguar shumë më tepër disiplinë dhe vendosmëri në avancimin e një strumbullari të politikës së jashtme nga Lindja e Mesme në Azi sesa ka bërë secili prej paraardhësve të tij, Barack Obama dhe Donald Trump. Por tani, rajoni është përsëri në krye të agjendës së politikëbërësve amerikanë.

Deri më tani, Biden ka bërë mirë që e ka balancuar mbështetjen për Izraelin me thirrjet që izraelitët që të jenë më të përmbajtur në përgjigjen e tyre ndaj sulmit të Hamasit. Dhe vendimi i tij për të kombinuar ndihmën për Ukrainën me mbështetjen për Izraelin në një paketë të vetme të sigurisë kombëtare ofron një shans për të kapërcyer rezistencën e ligjvënësve republikanë për të mbështetur Ukrainën.

Megjithatë, Biden po përballet me një situatë shumë të vështirë. Ukraina tashmë përfaqësonte një shpërqendrim të padëshiruar nga prioriteti kryesor i Amerikës: konkurrenca strategjike me Kinën. Në këtë kuptim, angazhimi më i madh në Lindjen e Mesme është gjëja e fundit që i duhet SHBA-së.

Askush – me përjashtimin e mundshëm të Hamasit dhe Netanyahu-t – nuk ka interes në tërheqjen ose zgjerimin e konfliktit që po zhvillohet tani në Gazë. Shpresohet që aktorët përkatës të njohin interesat e tyre të përbashkëta dhe të punojnë së bashku për t’i avancuar ato. Kjo do të thotë, më urgjentisht, përfundimi i konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur, pa përshkallëzim të mëtejshëm. Dhe, pasi krahu ushtarak i Hamasit të jetë shpërbërë dhe pengjet e tij izraelitë të lirohen, kjo nënkupton të shtyhet për një zgjidhje politike të konfliktit izraelito-palestinez. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të garantuar sigurinë afatgjatë të Izraelit.

Project Syndicate- The Global Consequences of the Israel-Hamas War